Tiranë, 24 mars 2011, NOA – Viti 2010 shënoi një numër më të ulët të të prekurve nga tuberkulozi. Këtë e bëri publike në Ditën Botërore kundër Tuberkulozit zëvendësministri i Shëndetësisë Bardh Spahia. Ai theksoi se ulja e shifrave të të prekurve nga kjo sëmundje e rëndë është shoqëruar me ulje të vdekshmërisë dhe pakësim të rezistencës bakteriale.
Zv/ministri i Shëndetësisë bëri me dije se “numri i rasteve të reja të zbuluara çdo vit po vjen duke u zvogëluar. Stastistikat flasin për 450 raste të reja në 2010-ën ose 14 të prekur për 100 000 banorë”.
Sipas Spahisë ky rezultat i prekshëm erdhi falë politikave të drejta shëndetësore dhe investimeve të bëra nga Qeveria Shqiptare katër vitet e fundit.
Statistikat tregojnë se në dekadën e fundit është parë një ulje e qëndrueshme e numrit të të prekurve, ku nga 27 raste të reja për 100 000 banorë (790 raste) në vitin 1999 është zbritur në 14 raste të reja për 100 000 banorë (afërsisht 450 raste të reja në vit) në vitin 2010.
“Rezistenca e shumëfishtë ndaj medikamenteve antituberkulare, që përbën një kërcënim serioz pasi medikamentet mund të mos jenë të efektshme, është e ulët (nën 1%). Mjekimi është i suksesshëm në mbi 87% të rasteve të reja me tuberkuloz”, nënvizojnë specialistët.
Mësohet se programi Kombëtar i Kontrollit të Tuberkulozit ka realizuar rishikimin e Strategjisë ekzistuese me objektiva të qarta: më pak se 10 raste të reja për 100 000 banorë në vitin 2015, sukses mjekimi në mbi 90% për rastet me sputum pozitiv, vdekshmëri nën 0.5%.
“Tuberkulozi mbetet një sëmundje infektive, që nëse neglizhohet përkeqësohet brenda një kohe të shkurtër. Prandaj kjo ditë është një ditë apeli për veprime konkrete dhe një mobilizim politik dhe angazhim social në nivel kombëtar”, theksoi zëvendësministri i Shëndetësisë.
mit/NOA