Tiranë, 24 mars 2011, NOA - Kompania britanike e telefonisë së lëvizshme Vodafone është renditur ndër 10 markat më të vlerësuara mes 500 markave të ndryshme në mbarë botën. Ky vlerësim u bë nga BrandFinance Global, që bëri të ditur se “Vodafone ka arritur të rrisë vlerën e markës së saj me 6% në vitin 2010”.
Investimet e kompanisë Vodafone në Afrikë dhe Australi kanë rritur praninë globale të markës, ndërkohë që mësohet se kompania e saj e përbashkët në Australi i ka kaluar plotësisht Vodafone.
Tashmë përveç se një nga market më të vlerësuara në sektorin e telekomunikacionit në botë, Vodafone po rrit potencialin e saj, duke qenë prezente në 40 tregje të ndryshme.
Ky fakt sikundër thonë ekspertët i jep më shumë vlerë markës Vodafone dhe partnerëve të saj.
Në klasifikimin e BrandFinance për markat botërore më të vlerësuara vazhdojnë të vlerësohen kompani të njohura prej dekadash si IBM, Bank of America, HSBC etj.
Ajo që vërehet është se po rritet rëndësia e internetit, ndërkohë që Google pozicionohet në vend të parë.
Ndërsa kompania Apple ka fituar 12 vende falë dizajnit të saj të ri dhe një marketingu po aq mbresëlënës.
mit/NOA