Tiranë, 24 mars 2011, NOA- Kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho, së bashku me përfaqësues të rinisë të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë vizituar gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, ku gjatë ditës së sotme në njërën prej klasave ku zhvillohej mësim u rrëzua një pjesë e tavanit.
Në një prononcim për mediat Xhixho u shpreh se, “Kisha dëgjuar për pemë elektorale, kisha dëgjuar edhe për asfalt elektoral, por tavani elektoral është shpikja më e fundit e Bashkisë së Tiranës dhe është për të ardhur keq që ambiciet personale të një personi dhe teatri i tij politik janë shndërruar në një gërmadhë që po bie në kokat e fëmijëve tanë sot”.
Ajo shtoi më tej se pikërisht për këto fakte dhe ngjarje që qytetarët po përjetojnë, Tirana ka nevojë për një ndryshim si në infrastrukturën e shkollës, por edhe në sigurinë e jetës së nxënësve.
Ndonëse nga kjo ngjarje nuk pati të lënduar, Xhixho i bëri apel të gjithë organeve të drejtësisë që sa më shpejt shkaktarët e kësaj ngjarjeje të vihen para drejtësisë.
a.y/NOA