English

A jemi çlirimtarë?

A jemi çlirimtarë, hajdutë, patriotë, kriminelë, të pafytyrë apo tradhtarë?

Nga Behxhet Sh. Shala

Bashkimi me Shqipërinë apo patate për Serbinë : Presidenti i Dellit, Fejtit, Pushikarit, ish të burgosurve politikë, ish luftëtarëve të UÇK-së të të gjitha luftave,të bëra dhe të pabëra si dhe anëtarëve të kooperativës politike të quajtër Aleanca për Kosovën e Re e sidomos i Baton Haxhiut filloi një vizitë në shtetin e quajtur Shqipëri e që paradoksi të jetë më i madh aty mund të gjeni çfarë të doni, me përjashtim të shqiptarëve! Presidenti i të lartpërmenurve, Behgjet Pacolli u takua me të gjithë udhëheqësit shtetërorë të Shqipërisë, Maqedonisë dhe pati takime të veçanta me biznesmenët e këtyre shteteve. Ky farë presidenti u shqua për një patriotizëm të paparë deri më tani. Nuk ishte ky një patriotizëm folklorik që është ( keq )përdorur deri më tani por një patriotizëm ( një )burimor. Sikur tenderët që i ka fituar në Republikën moldave të Kosovës. Pacolli shkëlqente nga emocionet sepse ndjehej sikur të ishte mbret i të gjithë shqiptarëve. As në imagjinatën më të skajshme nuk ka mundur ta shoh veten duke zbarkuar nga aeroportet e Beligradit, Moskës, Astanës dhe Tripolit në aeroportin e Tiranës. Jo më si biznismen por si burrështeti ! Merreni me mend, çfarë transformimi! Nga një i dyshuar si proserb dhe prorus të shndërrohesh në Piemont për shqiptarët dhe shqiptarinë! Pacolli e bëri një kryevepër duke ua hedhur topin ushëheqësve të Shqipërisë për lëvizjen e lirë, bashkimin doganor, treg të lirë, lirim nga taksat dhe dogana për mallrat, bashkim kulturor etj.etj. Këtë propozim është dashur ta bëjnë ata që e pritën ortakun e Batonit e jo Pacolli. Kjo që e tha presidenti në fjalë është derë e hyrjes për bashkim kombëtar. Duket se i kam hyrë në hak këtij patrioti ririlindas duke paragjykuar angazhimin e tij në rrafshin kombëtar andaj seriozisht më duhet të mendoj për të siguruar një strehim për veten time, pasi të sendërtohet propozimi për bashkim kombëtar të cilin e mbrojti me aq përkushtim Doktori Honoris Causa i Universitetit Europian të Tiranës. Jam ngutur duke injoruar faktin se nuk ishin të gjithë profetët besnikë , as ndaj Muhametit por as ndaj Krishtit por më vonë u penduan dhe u bënë më myslimanë se vet Pejgamberi dhe më të krishterë se vet Krishti! Po kam një formulë shpëtimtare; “ bira e minit 300 grosh “. Kjo formulë edhe në të kaluarën e sidomos sot ka prodhuar dhe prodhon rezultate të mahnitshme ! Ose, më duhet, si masë të skajshme, ta paloj bishtin mirë e mirë duke kërkuar mëshirë dhe falje nga ky humanist që rrezaton me pozitivitet dhe konstruktivitet. Falja, si akt i mëshirës është në konkordancë të plotë me karakterin prej humanisti të Behgjet Pacollit. Shpëtova, pa asnjë dyshim! Ndërkaq, sa i përket patriotizmit, pse mos të bëhet Behgjet Pacolli më patriot se Hasan Prishtina, Azem Galica, Shaban Polluzha, Adem Demaçi, Adem Jashari dhe Kristofer Delli??! Ani moj Shqipni, mos thuj se marova… !!! I patë ata llaskucët në Shqipëri si i venin pas. E ndjenin erën e lekëve, sikur do gazetarë “ hulumtues “ në Kosovë! Që i marrin dhjetëramijëra euro për një intervistë dhe promovim medial të signore presidente ! Pacolli është shumë dinak pasi që e dinë se bashkimi kombëtar tani është shndërruar në çështje teknike, si bisedimet me Serbinë! Edhe nuk e ka shumë vështirë të orientohet pozitivisht drejt bashkimit kombëtar me këshilltarët si Pushikari dhe Sokrati nga Llapushniku! Pastaj, lehtë e ka t’i bashkojë shqiptarët kur ata janë edhe ashtu të bashkuar! Ku gjeni shqiptarë më të bashkuar se Saliu me Edvinin! Se Ali Ahmeti me Menduh Thaçin! Se Hashimi me Ramushin ! E mos të flasim për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe Malit të Zi! Pacolli ishte edhe te mbreti për kafe, ishte në Lezhë ku gjithashtu u dekorua, e vendosi një kurorë në Varrezat e Dëshmorëve “ Nëna Shqipëri “ e mori një Çelës të Tiranës, si Goran Bregoviqi! E dihet se sa shumë e ka përkrahur Kosovën Bregoviqi !!! O moj Shqypni, e mjera Shqypni !

A na koritën apo u koritëm: Adem Demaçi, banor i Sarandës gjatë periudhës pranverë - dimër dhe banues në një nënkulëm në katin e pestë në Lagjen Kodra e Diellit është i vogël me trup dhe bartë syze me dioptri të madhe ama sheh shumë larg. Madje shumë më larg se që është dioptria normale shqiptare. Aq më parë kur dihet se shqiptarët , sidomos në politikë janë miop ( shkurtpamës ). Pas arrestimeve të shumta të ish luftëtarëve të ish UÇK-së nga UNMIK –u dhe EULESH-i i unmikizuar më kujtohet një ndejë në hotelin Grand në Prishtinë në muajin korrik të vitit 1999 dhe në shtator të vitit 1999 në hotelin Theranda në Prizren në të cilat merrnin pjesë shumë komandantë të ish UÇK-së. Atëherë Baca Adem, duke parë se si silleshin dhe gjeldeteshin disa komandantë u pati thënë se :” do të vije një kohë që ju që keni mbetur të gjallë do t’ua keni lakmi atyre që janë vrarë dhe janë bërë heronj në luftë “ dhe se :” askush nuk do të mbetet pa u koritë ( pa u bërë horën e dynjasë apo përrallë ). Këto dolën se ishin profecitë e Bacës për të cilat nuk kam nevoj për fakte shtesë! Disa komandantë, me thasë të mbushur me dojçmarka të djersës dhe të gjakut filluan bizneset në Prishtinë dhe qytete tjera të Kosovës. Mbase kishin harruar se ato para nuk ishin të tyre dhe se duhej të ktheheshin. Mirëpo, nuk i kthyen kështu që brenda natës u krijua shtresa e milionerëve. Kur i keni paratë dhe kur jeni të dhunshëm atëherë edhe pushtetin e keni nën kontrollë. Kështu, e kemi një kategori që u kriminalizua skajshëm dhe e trashën edhe më shumë langun duke bashkëpunuar ( vjedhur ) me ndërkombëtarë! Hajnat ndërkombëtarë shkonin e vinin kurse këta tanët ( vendorët ) u aziluan në politikë , thuaja në të gjitha nivelet! Disa u arrestuan sikur të ishin hajna të pulave dhe qëndrimin para gjykatave e kishin shumë qyqarë. Tamam si hajna të pulave. E harruan luftën dhe krejt luftën e bënin për të shpëtuar prapanicën e tyre! Dhe nuk e shpëtuan e as që do ta shpëtojnë! Duket se po u vinë faturat e Adem Jasharit dhe Adem Demaçit. EULESH është bastarduar moralisht dhe politikisht shkaku se nuk e lufton krimin aty ku duhet por krijon fajtorë kujdestar. Ka fjetur një formulë magjike për luftën kundër krimeve të luftës. Për krimet e luftës në Ruandë fajtorët i gjen te shqiptarët ! Për krime lufte në Srebrenicë, fajtorët i gjen te shqiptarët! Në vend të Ratko Mladiqit i cili jeton si pasha në Beograd, e ndjek Fatmirin në Prishtinë! Për krime në Vukovar, arreston shqiptarë në Kosovë! Për krime në Afrikën e Jugut, fajtorë i gjen shqiptarët në Kosovë! Për krime në Vietnam dhe Kore, fajtorët janë shqiptarët! Për vrasjen e 12.000 shqiptarëve në Kosovë, fajtorë janë UÇK e jo ushtarët, policët dhe paramilitarët serbë! Kjo është drejtësia e EULESH-it, trashëgimtare biologjike e UNMIK-ut! Mirëpo, për këtë nuk mund as EULESH e askush të na korisë. Por, e kemi turpëruar veten tonë. Andaj edhe nuk po ka reagime si psh. në Kroaci ku në emër të mbrojtjes së luftës çlirimtare dhe heronjve të luftës demonstrojnë me qindra – mijëra qytetarë dhe shteti është shumë i kujdesshëm si vepron! Te ne ndodhë e kundërta. Qytetarët nuk reagojnë si në Kroaci. Madje bëhen nervozë pse nuk arrestohen disa prej ish komandantëve. Askujt nuk u dhimbsen më! Është fatkeqësi dhe e pamoralshme që në burgje zakonisht përfundojnë luftëtarët e thjesht që kanë mbetur rrugëve dhe pa përkujdesje. Peshkaqejt e banditizmit dhe kusarët e parave të luftës dhe të paqes janë bërë milionerë ! Ata janë pronarë të tokave të shumta në Kosovë, bosë të ndërtimeve, restoranteve ekskluzive, pronarë të aseteve të privatizuara ( plaçkitura ) dhe investitorë brenda dhe jashtë vendit! Prandaj, është shumë e pamoralshme nëse ata që e kanë kriminalizuar, mendjen, trupin dhe shpirtin të thirren në vlerat e luftës dhe UÇK-në! Kjo strehë, më nuk ekziston!

A kemi për çka të krenohemi : Francezët krenohen me Kullën e Ajfelit dhe Luvrin. Anglezët me Big – Benin dhe Pikadilin. Gjermanët me Portën e Bradenburgut. Spanjollët me Muzeun Prado. Italianët me Mona Lizën. Rusët dhe Behgjet Pacolli me Kremlinin. Kinezët krenohen me Murin Kinez dhe Sheshin e Kuq. Peruanët me trashëgimin kulturore të Majave dhe civilizimin e hershëm. Egjiptasët me faraonët dhe piramidat. Japonezët krenohen me samurajët. Kolumbianët krenohen me Pablo Eskobarin dhe fushat e bleruara me kokainë. Amerikanët e kanë Shtatoren e Lirisë. Thuaja çdo vend e ka një arsye apo objekt me të cilin krenohen. Mirëpo, siç po duket këto objekte për të cilat po shkruaj nuk janë të gjalla, nuk kanë shpirt apo nuk marrin frymë. Shkëlqejnë dhe janë shumë të bukura ama janë statike apo nën dhe. E ne në Kosovë a kemi pse dhe me çka të krenohemi?! Unë the se kemi. I kemi dy arsye për mburrje dhe krenari. Fatmirësisht që të dy janë gjallë dhe me frymë. I pari shquhet si demokrat i madh dhe patriot edhe më i madh kosovar. Quhet Kristofer Dell. I dyti është kryevepër. I papërsëritshëm. Është vet Presidenti i Kosovës, Zotëri Behgjet Pacolli. Zoti i ruajtë dhe paqin jetë të gjatë që të dy këta pa të cilët Kosova nuk do të ishte Kosovë si kjo e sotit! Për tjetër Kosovë nuk kemi nevojë.

Ofertë për pajtim: Nëse mendoni se jam në armiqësi me Dellin dhe Pacollin, e keni shumë gabim! Nuk mund të them se i dua shumë ama as urrejtje ndaj tyre nuk kam! Aspak ! Prandaj, në shenj respekti të madh i ftoj zz. Dell dhe Pacolli në kafe të përbashkët të mëngjesit. Unë i paguaj kafetë. E propozoj edhe datën dhe vendin si dhe kohën. Data, 1 prill 2011, ora 10.00. Vendi, restorani “ Rings “. Ju mirëpres.

KOMENTE