Tiranë, 25 mars 2011, NOA – Kryeministri Sali Berisha garantoi ministrin e Forcave të Sigurisë së Kosovës Agim Çeku se Shqipëria do t’i japë Kosovës mbështetje pa kufij për pjesëmarrjen dhe integrimin e saj në NATO dhe në çdo iniciativë ndërkombëtare e rajonale. Gjatë takimit me ministrin e Çeku kryeministri Berisha vlerësoi lart progresin dhe reformat e bëra nga Forcat e Sigurisë së Kosovës në fushën e sigurisë.
Zoti Berisha siguroi ministrin Çeku për mbështetjen e gjithanshme të shtetit shqiptar për forcimin e mëtejshëm të FSK-së.
Shefi i qeverisë cilësoi si tejet të rëndësishëm zhvillimin dhe koordinimin në nivel rajonal të kapaciteteve në fushën e mbrojtjes, me qëllim që përgjigjia e angazhimeve të përbashkëta apo nevojave të mbrojtjes dhe emergjencave civile të jetë sa më e efektshme.
Ai e falenderoi ministrin Çeku për kontributin e FSK-së gjatë përmbytjeve në qarkun e Shkodrës.
Kryeministri Berisha theksoi gjithashtu se prezenca e KFOR-it është një faktor shumë i rëndësishëm për mbështetjen e reformave dhe arritjen e standardeve më të larta nga Forcat e Sigurisë së Kosovës.
Ndërsa ministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës Agim Çeku e falenderoi Kryeministrin Berisha për mundësitë dhe hapësirat e mëdha që qeveria shqiptare ka krijuar për shkollimin dhe trajnimin e ushtarakëve nga Kosova në institucionet arsimore shqiptare. Ai theksoi, se “Kosova po përpiqet të ndërtojë në fushën e mbrojtjes kapacitete që i përgjigjen nevojave të saj dhe atyre që janë parashikuar në kuadrin kushtetues e ligjor të bazuar mbi paketën Ahtisaari”.
Ministri kosovar shprehu vullnetin e qartë të qeverisë së Kosovës dhe FSK-së për integrimin e plotë në iniciativa dhe projekte me karakter rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes, përfshirë dhe NATO-n.
Në këtë kontekst ai kërkoi mbështetje maksimale nga qeveria shqiptare.
Në fund të takimit ministri Çeku i uroi Kryeministrit Berisha një proces të suksesshëm zgjedhor.
mit/NOA