Në kujtim të 24 marsit 1999: Për çka u munduam atëherë dhe tash?
Kur amerikanët dëgjojnë kosovarët duke përgojuar Qeverinë sepse ajo nuk është mbështetur nga shumica e deputetëve shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, ne jemi më se të fyer. Ne pyesim veten: “A për këtë kemi luftuar në Kosovë?”
Nga Christopher Dell
Përvjetori i 12-të i fillimit të fushatës së NATO-s në Kosovë është mundësi për të menduar lidhur me turbullirat që çuan në ndërhyrjen e NATO-s si dhe për shtetin e Kosovës që doli nga konflikti. Pas atyre trazirave, populli i Kosovës u zotua që të sigurojë që vendi juaj të bëhet një demokraci e fortë, shumetnike, pluraliste dhe e denjë për sakrificat që çuan në pavarësinë e Kosovës. Tash, dymbëdhjetë pasi që NATO-ja veproi, mbetet detyrim i Kosovës dhe i të gjithë kosovarëve që të mbrojnë trashëgiminë e ndërhyrjes së botës në emër të tyre.
NATO intervenoi në Kosovë pas sulmeve të diktatorit serb Sllobodan Millosheviç kundër një popullate të pambrojtur. Ne vepruam për të mbrojtur mijëra civilë të pafajshëm nga një ofensivë ushtarake që kërcënonte t’i gllabërojë ata. Siç e kemi thënë atëherë, ne vepruam për të mbrojtur vlerat tona, për të mbrojtur stabilitetin në Ballkan dhe për të çuar përpara kauzën e paqes. Ne nuk morëm anën e shqiptarëve apo serbëve; ne mbrojtëm viktimat e pafajshme nga një tiran brutal.
Si përfundim i ndërhyrjes ndërkombëtare, Kosova u bë një shtet i pavarur i themeluar në zotimin se do të ndërtojë një republikë demokratike e shumetnike. Kujtojeni thënien kyçe në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës:
Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multi-etnike, të udhëhequr nga parimet e jo-diskriminimit dhe mbrojtjes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe do të krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse.
Kosova tash gëzon kushtetutën që mund të argumentohet se është më bashkëkohorja dhe më përparimtarja në rajon. Ajo ka mbajtur zgjedhje demokratike që kanë mundësuar kalim paqësor të qeverisjes dhe ka arritur përparime në zbatimin e dispozitave të planit të Ahtisaarit që sigurojnë stabilitetin e trashëgimisë së pasur, shumetnike të Kosovës.
Megjithatë, është shqetësuese që 12 vjet pasi që NATO ndërhyri në Kosovë – dhe mezi tri vjet pas pavarësisë – ne kemi filluar të dëgjojmë si po përvidhet retorika e urrejtjes etnike në diskursin publik këtu. Veçanërisht jemi të shqetësuar që sulmet e fundit mbi qeverinë kanë përfshirë kritikat që nënkuptojnë se ajo është jolegjitime sepse ajo gëzon përkrahjen e pakicave në Kuvend dhe për shkak se shumica e deputetëve shqiptarë nuk kanë votuar për të.
Unë as që mund t’ia filloj t’ju them se sa e urryer është kjo gjuhë për amerikanët. Ne jemi krenarë që Deklarata jonë e Pavarësisë dhe Kushtetuta jonë kanë themeluar demokracinë më të vjetër në botë dhe që ato mbeten pishtarë për miliona njerëz anekënd botës. Megjithatë, vlerat e Deklaratës sonë ishin kompromentuar nga dispozitat e Kushtetutës që lejonin ekzistimin e skllavërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne kemi luftuar luftën më të përgjakshme në historinë e Amerikës për këtë çështje dhe ato nene të Kushtetutës sonë u hoqën pas rënies së qindra mijërave luftëtarëve në mbrojtje të lirisë. Por, fshirja e asaj njolle nga trashëgimia jonë ka qenë një prej sfidave të vazhdueshme të historisë amerikane, një betejë që ka vazhduar me lëvizjen për të drejta civile dhe e cila ende vazhdon edhe sot.
Bekimi i madh në historinë amerikane ka qenë që gjithmonë ka pasur burra e gra të gatshëm për t’u ngritur në këmbë dhe për të sfiduar udhëheqësit tanë politikë për t’i jetësuar idealet tona. Ky përkushtim na e ka mundësuar që t’i korrigjojmë mëkatet e së kaluarës dhe ta çojmë vendin tonë drejt një Unioni më të përsosur që e kërkonte edhe Kushtetuta jonë. Janë pikërisht këto ideale që kanë bërë vendin tim të ndërhyjë në emër të lirisë dhe të pakicave anekënd botës dhe arsyeja se pse në shekullin e fundit dhjetëra mijëra amerikanë të tjerë kanë flijuar jetët e tyre duke mbrojtur lirinë anembanë botës. Ata ishin të gatshëm që të flijoheshin edhe dymbëdhjetë vjet më parë në Kosovë dhe ata janë të gatshëm të marrin këtë rrezik mbi vete sërish në Libi tash.
Prandaj, do të kuptoni se kur amerikanët dëgjojnë kosovarët duke përgojuar qeverinë sepse ajo nuk është mbështetur nga shumica e deputetëve shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, ne jemi më se të fyer. Ne pyesim veten: “A për këtë kemi luftuar në Kosovë?” Kur ne dëgjojmë të shprehurit e këtyre ndjenjave nga politikanët dhe të tjerët që thonë se përfaqësojnë elitën e Kosovës, çka ne dëgjojmë është diçka si: “Pakicat e Kosovës nuk duhet të llogariten të barabartë me ne; vetëm shqiptarët llogariten njëmend në këtë vend”. Jo vetëm që kjo godet në telat më të neveritshëm të kujtimeve dhe historisë së Amerikës, kjo tingëllon shumë sikurse argumentet e Millosheviqit po ringjallen nga disa prej atyre që ishin në mesin e viktimave të tij.
Për fat të mirë, këto pikëpamje duket se janë të kufizuara brenda një grupi të vogël që kërkon të përdorë çdo mjet, pa marrë parasysh se a është legjitim apo jo, në përpjekjet për të siguruar përparësi politike. E për fat edhe më të mirë, unë nuk besoj se këto pikëpamje hasin në shumë mirëkuptim në mesin e qytetarëve të Kosovës.
Fundja, votuesit e Kosovës përmes votës së tyre në zgjedhje kanë përqafuar një demokraci laike dhe shumetnike. Ne jemi krenarë për këtë fakt. Fakti se qeveria e tashme e Kosovës përfshin parti si nga komuniteti shumicë, ashtu edhe nga ai pakicë, është masë e suksesit të Kosovës dhe do të duhej të jetë edhe çështje e krenarisë kombëtare. Kjo nuk është arsye për të vënë në dyshim legjitimitetin e institucioneve tuaja.
Akuza se një qeveri shumetnike nuk mund të përfaqësojë interesat e shqiptarëve të Kosovës është e rreme dhe e rrezikshme. Përkatësia etnike nuk është bazë për legjitimitet. Millosheviqi e ka pasur gabim kur e ka thënë këtë, dhe ata pak kosovarë që e pohojnë po këtë gjë tash, e kanë po ashtu gabim kur e thonë atë. Ne jemi të sigurt se populli i Kosovës nuk e ndan këtë pikëpamje të rrezikshme dhe është po aq i turpëruar me këtë gjuhë sa edhe ne.
Ne kemi ardhur këtu më 1999 për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta demokratike dhe ne mbesim të përkushtuar për partneritetin tonë me Kosovën sepse populli i Kosovës mbetet i zotuar për një shtet demokratik, shumetnik dhe tolerant, i cili do të garantojë liritë dhe mbrojtjen për të gjithë qytetarët e saj.
Ne besojmë që angazhimi juaj i vazhdueshëm për këtë qëllim do të sigurojë që e ardhmja e Kosovës qëndron në familjen e kombeve euro-atlantike.
Ne nuk besojmë që ju do të lejoni të mashtroheni e të hidhni poshtë vlerat që kanë sjellë NATO-n këtu. Më saktë, ne jemi të bindur se ju do të ngriheni për parimet e mishëruara në Deklaratën tuaj të Pavarësisë dhe në Kushtetutën tuaj. Mënyra më e sigurt për të bërë që Amerika një ditë t’ua kthejë shpinën do të ishte nëse ju ua ktheni shpinën këtyre parimeve. Por, nëse ju besoni, siç besojmë edhe ne, se ne i ndajmë vlerat dhe të ardhmen tonë të përbashkët, atëherë ju do ta refuzoni këtë mënyrë të rrezikshme të të menduarit. Dhe atëherë do të shihni që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të qëndrojnë përkrah jush, jo thjesht vetëm në miqësi, por edhe në kauzën e përbashkët.