Nga Armand Shkullaku
Krejt papritur partia më e madhe opozitare dhe lideri i saj e kanë parë veten nën akuzë për bashkëpunim me pushtetin dhe në qendër të një komploti për të mbajtur në fron presidentin Pacolli. Shkak për këtë u bë vendimi politik i LDK për të mos iu bashkuar iniciativës së AAK për një tjetër ankesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me pjesëmarrjen e zotit Pacolii në votimin për qeverinë. Komentet për këtë vendim qenë të shumëllojshme. Vetë AAK la të kuptohej qartë se partia tjetër opozitare po bën lojë të dyfishtë kur në një anë kritikon në publik zgjedhjen e presidentit dhe në anën tjetër nuk e kundërshton atë. Dy gazetat kryesore në vend, të njohura për qëndrimet e tyre të ndryshme, gjithashtu nuk e lanë pa shënjestruar sipas linjës së tyre editoriale, kreun e LDK, Isa Mustafa. Në mënyrë ironike gazeta Express, nën titullin “Dosti i Presidentit”, shkruante një ditë më parë se Isa Mustafa i bëri një shërbim të mirë Behgjet Pacollit duke mos i bashkuar firmat në padinë e AAK për në Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa Koha Ditore, në mënyrë afirmative e titullonte ballinën e saj: “LDK mbron shkeljen kushtetuese të Presidentit”, duke aluduar pastaj në një takim të fshehtë Pacolli- Mustafa, ku ky i fundit e kishte garantuar Presidentin e sapozgjedhur se nuk do ta çonte në Kushtetuese votimin e tij për qeverinë. Pra lihet të kuptohet qartë, si nga një pjesë e opozitës ashtu edhe nga media, se vendimi i LDK nuk është një qëndrim i pastër politik, por një lloj marrëveshje e heshtur dhe e pamoralshme Pacolli- Mustafa. Sigurisht që këto komente do të kishin qenë më të kursyera sikur gjërat në kampin opozitar të ishin ndryshe.
Fakti se ka mjaftuar vetëm një akt i tillë për të ngritur e artikuluar dyshime apo akuza mbi partinë më të madhe opozitare, nxjerr edhe njëherë në pah kaosin dhe mungesën e një strategjie politike të opozitës. Pavaërisht disfatave që ka pësuar, opozita në Kosovë nuk ka nxjerrë ende asnjë mësim dhe nuk po arrin të flasë me një zë të vetëm. Madje më shumë se kaq, ajo reflekton përçarje dhe një lloj rivaliteti absurd në një kohë që ka një numër mjaft të konsoliduar të votave në parlament. Ka disa arsye që mund ta shpjegojnë këtë fenomen, që nga nevoja për të forcuar identitetin opozitar e deri tek ndarjet e dikurshme historike. Por arsyeja kryesore ka të bëjë me bazën politike mbi të cilën vepron opozita kosovare. Deri tani, kjo bazë ka qenë vetëm antithaçizmi. Duke garuar për të qenë sa më të fortë në këtë drejtim, partitë opozitare kanë lënë pas dore koordinimin mes tyre, gjetjen e pikave të përbashkëta dhe hartimin e një strategjie opozitare që nuk do të bazohej vetëm mbi kundërshtimin por edhe mbi alternativën. Një opozitë e njëzëshme, me program të qartë politik dhe pa diversion në mes vetes do të rriste shumë shkallën e besueshmërisë dhe mundësinë e ardhjes në pushtet. Ngjarja e fundit me LDK vetëm sa e ka tronditur këtë besueshmëri. Kujt duhet t’i besojë populli opozitar? Isa Mustafa që deri dje shihej si alternativa më e fortë ndaj Hashim Thaçit, tani del se ka porositur deputetët e tij ta “ruajnë” Pacollin me të cilin paska një pakt. Dhe se LDK, forca më e madhe opozitare, po bëka lojë të dyfishtë. Se sa është cënuar besueshmëria e opozitës mjafton të shihen komentet në faqet online të dy gazetave kryesore në vend, ku flitet për komplot të Mustafës që prej kohës së Zanzibarit, për aleancë titistësh, për shërbim ndaj Thaçit, etj. Këto komente nuk do të shpërthenin, madje dhe shkrimet në gazeta do të ishin ndryshe, sikur opozita kosovare të arrinte të koordinohej paraprakisht mes vetes dhe të dilte me një qëndrim të përbashkët. Ashtu siç ndodhi me votimin në parlament për presidentin, kur e gjithë opozita la sallën e Kuvendit, ashtu do të duhej që edhe më tutje veprimi opozitar të ishte i unifikuar. Në të kundërt, debati mbi legjitimitetin e qeverisë dhe Presidentit rrezikon të zhvendoset në debatin mbi moralitetin e veprimit të LDK. Pikërisht ajo që po ndodh këto ditë.
LDK ka patur arsyet e veta për të mos nënshkruar një tjetër padi në Gjykatën Kushtetuese dhe ato i bëri publike. LDK bojkotoi seancën e zgjedhjes së Presidentit dhe deponoi e para ankesën për procedurat e votimit të tij. Edhe ky është një qëndrim publik. Çdo teori apo diversion tjetër është spekulativ dhe nuk dëmton vetëm LDK, por të gjithë kauzën opozitare. Presionet apo kompleksimi i LDK nuk e përshpejtojnë aksionin opozitar për të rrëzuar qeverinë Thaçi. Për këtë nuk mjafton vetëm dëshira, por duhet edhe strategjia e përbashkët. Opozita në Kosovë po tregon se këtë nuk po arrin ta ndërtojë. Dëshmia më e mirë është Kuvendi i ri. Opozita ka shumicën e votave të elektoratit shqiptar, por qeveris Partia Demokratike e Kosovës. Partitë opozitare dështuan të arrinin një marrëveshje paraelektorale në zgjedhjet e fundit, por nëse atëherë kjo mund të justifikohej me luftën për pushtet, tani duhet të ndryshojnë strategji nëse duan të vinë në pushtet.