Tiranë, 25 mars 2011, NOA – Kur tashmë na ndajnë më pak se dy muaj nga zgjedhjet vendore të 8 majit Partia Demokratike ka ftuar sot zyrtarisht Partinë Socialiste dhe partitë e tjera parlamentare që të ulen në një tryezë të martën për të diskutuar përgjegjësitë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Tryeza politike e thirrur përmes një letre për në datën 29 mars në orën 11.00 pranë mjediseve të Kryesisë së Kuvendit është firmosur nga Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi.
Në letrën drejtuar kreut të Grupit Kuvendor të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi, shefi i grupit të PD-së Patozi kërkon që në këtë tryezë ku është ftuar edhe prezenca e OSBE- të shqyrtohen përgjegjësitë që duhet të marrin partitë politike për adresimin e mundshëm të rekomandimeve për forcat politike, në respekt të plotë të kuadrit kushtetues e ligjor ekzistues.
Duke iu referuar Raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2009, Patozi shkruan se ai përcakton për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri se ato përmbushën shumicën e angazhimeve të OSBE-së për zgjedhje demokratike.
Patozi nënvzion se “përmirësimet e konsiderueshme u zbehën nga politizimi i aspekteve teknike të procesit”.
Gjithë duke iu referuar raportit, kreu i Grupit të PD-së i shkruan zotit Ruçi se “zhvillimi i zgjedhjeve demokratike varet gjithashtu, në një masë të madhe, nga angazhimi i të gjitha partive politike shqiptare për të respektuar ligjin dhe qëllimin e tij në detajin më të vogël, si dhe për t’i përmbushur detyrat e tyre zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme me synim ruajtjen e integritetit të procesit”.
Duke përmendur 31 rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, shumica e të cilave i drejtohen drejtpërdrejtë ose tërthorazi partive politike, zoti Patozi shkruan se “stabiliteti i procesit përgatitor, i bazuar në zbatimin e rregullave, që kemi miratuar me konsensus të plotë, ka një rëndësi themelore për standardin e zgjedhjeve”.
Sipas raportit bën me dije Patozi “Partitë politike duhet të tregojnë vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike në përputhje me privilegjet e mëdha që gëzojnë sipas ligjit në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve. Ato duhet të realizojnë detyrat e tyre zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme në interesin e përgjithshëm të Shqipërisë. Kjo vlen edhe për performancën e komisionerëve zgjedhorë dhe nëpunësve të zgjedhur e të emëruar të të gjitha niveleve, të cilët nuk duhet t’i mbeshtesin veprimet dhe vendimet e tyre në lidhje me zgjedhjet në çështje apo bindje politike”.
Në këtë kontekst ai i referohet edhe rekomandimit 9 të raportit ku kërkohet që “Me qëllim pavarësinë dhe profesionalizmin e administratës zgjedhore, partitë politike nuk duhet të lejohen që të zëvendësojnë në mënyrë arbitrare anëtarët e komisioneve të nivelit më të ulët. Zëvendësimi duhet të lejohet vetëm për arsye specifike të shprehura qartë në ligj”.
Ndërsa në rekomandimin 16 sikundër citon Patozi kërkohet që “Autoritetet, ashtu si edhe partitë politike, duhet të marrin hapa vendimtare për të siguruar që mbi punonjësit e sektorit publik, aktivistët politikë apo qytetarët e tjerë, të mos ushtrohet presion, qoftë për të marrë pjesë në aktivitete të fushatës, qoftë për të mos u marrë me veprimtari politike apo për të votuar në një mënyrë të caktuar. Çdo rast i një presioni të tillë duhet të hetohet me hollësi dhe fajtorët të sillen përpara drejtësisë, në përputhje me ligjin”.
Patozi i referohet OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias kur thekson se kuadri ligjor shqiptar për zgjedhjet “përbën një themel të kompletuar teknik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike.
Ndërkaq referuar Këshillit të Europës, Patozi shkruan se zbatimi dhe respektimi i plotë dhe vullnetmirë i kuadrit kushtetues dhe ligjor dhe institucioneve të mandatuara prej tyre është garancia më e mirë, jo vetëm për përmbushjen e interesave legjitime të subjekteve zgjedhore, por mbi të gjitha, të interesit të zgjedhësve shqiptarë.
mit/NOA