English

Publiku dhe llogaridhënia

Nga Kseniya Lvovsky

Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri

Elemente kyç të mirëqeverisjes janë transparenca dhe përgjegjshmëria në vendimmarrje, ofrimin efektiv të shërbimeve sociale dhe pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse të grupeve të ndryshme të shoqërisë civile në marrjen e vendimeve që prekin ata, si dhe monitorimin e zbatimin e tyre. Një qeverisje më e mirë është e rëndësishme për progresin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Ajo njihet si prioritet nga qeveria dhe shoqëria civile dhe përbën edhe një prioritet të rëndësishëm për mbështetjen e Bankës Botërore në Shqipëri. Ne mbështesim përmirësimet e qeverisjes përmes një sërë aktivitetesh dhe instrumentesh. Do të doja të përmendja disa:

studime për të vlerësuar prirjet në indikatorët e qeverisjes, fushat e progresit dhe ato në të cilat ka nevojë për më shumë progres

zbatimi i “filtrit të qeverisjes” në programet dhe projektet që mbështesin përdorimin më të mirë të aseteve publike dhe për rezultate më të mira nga përdorimi i tyre

shpërndarja e praktikave më të mira botërore dhe duke ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve në ofrimin e shërbimeve, mekanizmat e përgjegjshmërisë, menaxhimin financiar dhe inovacionet, si aplikimet e qeverisjes on-line.

Një nga aktivitetet më të rëndësishme është të mbështesim iniciativat e shoqërisë civile dhe të forcojmë “kërkesën nga publiku për llogaridhënie” për mirëqeverisje. Një nga arritjet më të mëdha të qeverisjes që ka pasur së fundmi Shqipëria është në frenimin e krimeve të dhunshme dhe përmirësimin e sigurisë publike. Një faktor kyç i këtij suksesi, së bashku me përpjekjet e qeverisë ishte mbështetja nga qytetarët. Eksperienca botërore gjithashtu tregon: qeverisja e mirë nuk vjen që nga lart, ka nevojë për një kërkesë për llogaridhënie nga poshtë, nga qytetarët, sektori privat dhe organizatat e shoqërisë civile. Ajo kërkon punë dhe angazhim nga të gjithë ju këtu. Ja përse pjesëmarrja dhe përpjekjet tuaja janë kaq të vlefshme dhe kaq inkurajuese. Ju uroj sukses të plotë në zbatimin e ideve tuaja dhe uroj që t’i mbartni këto ide të reja edhe më tutje se kohëzgjatja e këtyre projekteve. Ju uroj gjithë të tjerëve, të cilët morën pjesë në këtë konkurs dhe atyre qe mund të jenë frymëzuar nga shembulli i fituesve të sotëm të vazhdojnë dhe të zgjerojnë aktivitete të tilla. Nëse do të ketë më shumë iniciativa të tilla, kjo do të ishte rruga më e sigurt për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë se më parë. Ne në Bankën Botërore mbetemi të angazhuar të mbështesim shoqërinë civile në Shqipëri. Jam e kënaqur të përfundoj duke njoftuar se ne shumë shpejt do të bëjmë një thirrje të re për propozime nga shoqëria civile të fokusuar në çështjet gjinore.

* Nga fjala e mbajtur në ceremoninë e shpalljes së fituesve të "Panairit të Ideve Krijuese"

KOMENTE