English

Rama- MC Nally: Prokuroria hallka më e rëndësishme e zbatimit të ligjit

Tiranë, 25 mars 2011, NOA- Kryeprokurorja e vendit Ina Rama zhvilloi ditën e sotme një takim me Ministrin e Shtetit për Drejtësinë në Mbretërinë e Bashkuar, Lordin MC Nally.

Gjatë takimit mes tyre thelbi i bisedës ishte pavarësia e institucioneve të drejtësisë dhe rolit të tyre në forcimin e shtetit të së drejtës.

Më tej fokusi i takimit u vu në performancën e Prokurorisë, duke e konsideruar si një nga hallkat më të rëndësishme në ruajtjen dhe zbatimin e ligjit.

Gjatë fjalës së tij Lordi MC Nally, vlerësoi rolin kyç të Prokurorisë në ndërtimin e shtetit të së drejtës, gjithashtu ai vuri theksin në forcimin e bashkëpunimit të institucionit të akuzës me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit.

Më tej ai vlerësoi gjithashtu punën Prokurorisë Shqiptare dhe arritjet e saj si dhe ofroi mbështetjen e tij për institucionin e akuzës.

Nga ana e saj Prokurorja e Përgjithshme theksoi se prioritetet e punës së këtij institucioni mbeten lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve, dhe çështjet e ndryshme që janë në hetim dhe që janë në fokus të opinionit publik, që sipas saj tregojnë angazhimin dhe seriozitetin e plotë të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore në kryerjen e detyrave që u ngarkon ligji.

Sipas saj zbatimi me rigorozitet i ligjit, mbështetur dhe në kompetencat që jep Kushtetuta dhe ligji, mbeten objektiv i pandryshueshëm dhe mjeti për të ruajtur pavarësinë e institucionit.

Në këtë takim MC Nally shoqërohej nga ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Fiona Mcllham.

a.y/NOA

KOMENTE