Gjirokastër, 25 mars 2011, NOA – Konsulli grek në Gjirokastër Joanis Rizopulos deklaroi sot në Derviçan se minoriteti grek në Shqipëri ka dy beteja përpara, atë të zgjedhjeve vendore të 8 majit dhe vetëdeklarimin e kombësisë greke në regjistrimin e popullsisë. “Minoriteti grek është prezent në Shqipëri dhe këtë duhet ta tregojë me guxim dhe pa frikë” deklaroi konsulli grek Rizopulos, duke nënvizuar me të njëjtin ton, por me fjalë të tjera atë çka deklaroi edhe konsulli tjetër grek në Korçë Theodhoros Ikonomus pak kohë më parë duke ndezur në qarqet shqiptare edhe debatin e fortë mbi regjistrimin e popullsisë dhe pasojat e saj në rast të shkeljes së ligjit gjatë vetëdeklarimit.
Konsulli grek Joanis Rizopulos u prononcua përballë përfaqësuesve të minoritetit grek në Derviçan të Gjirokastrës gjatë kremtimit të 198-vjetorit të çlirimit të Greqisë nga pushtimi turk që daton në 25 marsin e vitit 1821.
Rizopulos pasi i uroi minoritarët grekë për festën e 25 marsit, lexoi letrën që drejtuar atyre nga presidenti grek Karolios Papulias, i cili theksoi mbështetjen që shteti grek i jep “Vorio epirit” sikundër e quajnë grekët jugun e Shqipërisë ku jetojnë më minoritarët grekë.
Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe kreu i PBDNj, Vangjel Dule dhe ministri i Punës e Çështjeve Sociale Spiro Ksera.
Kryetari i PBDNj, Vangjel Dule gjatë fjalës së tij theksoi se minoriteti grek është më i bashkuar se kurrë për të mbrojtur interesat e tij.
Ndërsa ministri Spiro Ksera nënvizoi se liria dhe demokracia janë dy elementët kyç që duhen arritur e shfrytëzuar.
Ndërkohë i pyetur nga mediat për daljen e tij nga koalicioni i majtë në zgjedhjet vendore të 8 majit “Opozita e Bashkuar”, kreu i PBDNj theksoi se PBDNj është ndryshe nga forcat e tjera politike, pasi ajo është pavarur dhe do të imponohet si e tillë në zgjedhje me synimin për të qenë forca e tretë politike në vend, si përsa i përket numrit të komunave të fituara ashtu edhe për bashkitë që synon të drejtojë.
Debati për regjistrimin e popullsisë është ndezur tejet në Shqipëri, pas dyshimeve të autoriteteve shqiptare për rritje artificiale të minoritetit etnik greke në Shqipëri.
Në krye të fushatës së ndërgjegjësimit është vënë nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu, i cili ka deklaruar se shumë shtetas në jug të vendit janë regjistruar si minoritet etnik grek në Gjykatë në kundërshtim me ligjin duke mos e argumentuar prejardhjen e tyre me fakte e dokumente ligjore.
Sipas qarqeve shqiptare kjo vendosmëri e qarqeve greke për deklarimin e kombësisë argumentohet me synimin e këtyre qarqeve për të rritur artificialish popullsinë etnikisht greke në vendin tonë.
Këtë argument e përligj edhe fakti se shumë shtetas etnikisht shqiptarë për arsye të përfitimit të një pensioni nga shteti grek.
mit/NOA