Bruksel, 25 mars, NOA - Një pako e përbashkët reformash për stabilizimin e monedhës së përbashkët Euro, ka qenë pakti i përbashkët për të cilin kanë rënë dakord në një takim të posaçëm presidentët dhe kryeministrat e vendeve të Bashkimit Evropian.
Këtë fakt e ka bërë me dije vetë presidenti i Këshillit të BE-së, Herman van Rompuy pas një samiti në Bruksel.
Ai tha konkretisht se pjesë e këtyre reformave do të jetë krijimi i një fondi të përhershëm shpëtimi për vendet e zhytura thellë në borxhe i cili do të pajiset me 500 miliardë euro dhe do të startojë në vitin 2013.
Ndërsa nga ana e tij, presidenti i Bankës Qendrore Europiane, u shpreh se sistemi financiar europian ka nevojë për më shumë reforma.
“Bankat europiane duhet të sigurojnë qëndrueshmërinë e tyre, që të mos ndodhë më ajo e vitit 2008”, mësohet të jetë shprehur ai.
Sipas Trishesë, reformat financiare duhet të shihen si një domosdoshmëri për të shmangur falimentin.
n.e/NOA