English

Valë arrestesh në Inspektoratin Ndërtimor

Tiranë, 25 mars 2011 NOA/ Ervin Tirana – Valë arrestesh të reja në radhët e inspektorëve të ndërtimit. Pak ditë pasi në Tiranë u arrestuan dy inspektorë dhe një polic bashkiak, sot pasdite iu hodhën prangat edhe dy inspektorëve të tjerë, këtë radhë në Vlorë.

Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme i thanë agjencisë NOA se sot është bërë edhe ekzekutimi i arresteve të urdhëruara nga ana e prokurorisë për Artur Dervishi, banues në Berat, me detyrë inspektor pranë I.N.U.K-se Dega Vlorë, si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve” nga personi që ka për detyrë të përpilojë dokumentin, kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu u arrestua Julian Sadikaj, banues në Fier, me detyre inspektor pranë I.N.U.K-se Dega Vlorë, si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve” nga personi që ka për detyrë të përpilojë dokumentin, kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Plator Nesturi nga Prokuroria e Përgjithshme, i detajoi agjencisë NOA se “Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë mbi bazën e materialit kallëzues të bërë nga Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 180 të vitit 2011, për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” nga personi që ka për detyrë të përpilojë dokumentin, kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim,, në ngarkim të Artur Sadikaj dhe Artur Dervishi, me detyrë që të dy, inspektorë pranë Degës së I.N.U.K Vlorë”.

Nga hetimet e kryera dhe provat e mbledhura deri në këtë fazë të hetimeve ka rezultuar se nga ana e Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar Tiranë me urdhrin nr. 112 datë 16.06.2010 është urdhëruar ekzekutimi i vendimeve për prishjen e 23 objekteve të ndërtuara pa leje ndërtimi në zonën e quajtur "Pylli i Sodës" të qytetit të Vlorës.

Për ekzekutimin e këtyre urdhrave është ngarkuar Inspektoriati Ndërtimor Kombëtar Vlorë dhe konkretisht inspektorët Artur Dervishi dhe Julian Sadikaj.

Nga ana e dy inspektorëve janë përpiluar procesverbalet e ekzekutimit të vendimeve për prishjen e objekteve te ndërtuara pa leje ndërtimi, por ndërkohe që këto objekte nuk janë prishur asnjëherë.

Për të vërtetuar këtë fakt, nga ana e prokurorisë është bërë edhe verifikimi në terren i objekteve të deklaruara të prishura nga ana e dy inspektorëve, prej nga ku ka rezultuar se këto objekte nuk janë prishur asnjëherë nga ana e inspektoratit ndërtimor.

Nisur nga këto rrethana nga ana e prokurorisë është kërkuar caktimi i masës së sigurimit persona « arrest në burg » për të dy inspektorët e policisë ndërtimore, si persona te dyshuar per kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve” nga personi që ka për detyrë të përpiloje dokumentin, kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim.

e.t/NOA

LEXONI GJITHASHTU: Korrupsioni, valë arrestesh në Bashkinë e Tiranës

KOMENTE