English

Balla: Abuzim 2.8 milionë euro për Kuvendin

Tiranë, 26 mars, NOA – Partia Socialiste ka kërkuar sot sqarime nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli për projektin e ndërtimit të Parlamentit të ri.

Duke ju rikthyer shkrimit të botuar në mediat vjeneze për fituesin, deputeti i PS-së Taulant Balla u shpreh se ky është një abuzim i pastër.

“Më kot përpiqet Xhozefina Topalli të mohojë vërtetësinë e faktit se studioja Vjeneze COOPHIMELB (L) AU është fituesi i paracaktuar i projektit për kompleksin e ri parlamentar. Në këtë gazetë, 12 ditë para se të shpallej fituesi, ose 8 ditë para se juria ndërkombëtare të ulej për vlerësimin e projekteve, është parathënë se arkitekti i projektit të parlamentit të ri të Shqipërisë quhet Ëolfgang Prix, pra kompania COOPHIMELB (L) AU”, tha sot Balla.

Balla u shpreh se nga tekat e drejtuesve të këtij institucioni janë shpenzuar 2.8 milion euro, ndërkohë që në vend ka 1 milion të papunë.

“Ku je Xhozefinë, ku je futur? Pse duhet të shpenzoheshin 50,000 Euro të shqiptarëve për spote televizive ndërkohë që fituesin t’i e kishe paracaktuar? Pse duhet të shpenzoheshin 50 mijë Euro për reklama televizive të paraporositura ndërkohë që pazarin për fituesin ti e kishe mbyllur me kohë? Pse mbahet fshehur vlera e këtij projekti? Kush është sekseri që të ka pëshpëritur në vesh për të paracaktuar fituesin e këtij projekti? Pse duhet të shpenzoheshin 2 milionë Euro për rikonstruksionin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës që mban emrin e të nderuarit Pjetër Arbnori? Ndërsa tani ju doni ta shembni. Pse duhet të shpenzoheshin 700 mijë Euro për një sallë që sipas jush do të përdoret vetëm 24 muaj?”, tha sot Balla.

Deputeti i PS-së u shpreh se pushteti i sotëm merret vetëm me korrupsion. “Në Shqipëri sot Saliu, Luli, Xhozefina, Iliri, Genci, Majlinda e të tjerë anëtarë të oborrit, vjedhin, bëjnë matrapazllëqe, vrasin për të vazhduar të vjedhin”.

Sipas tij rasti më i fundit i korrupsionit është ai i konkursit ndërkombëtar, “ku fituesi ka qenë i paracaktuar kohë para se vetë konkursi të organizohej”.

Balla u shpreh se me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste nuk do të ketë më shpërdorime si këto.

“Kurrë më shpërdorime me fondet publike si këto! Kurrë më vjedhje, vrasje e pastaj heshtje. Kurrë më një pushtet të zhytur në çdo batak e llum të këtij vendi!

Kurrë më votën Saliut! Kurrë më Xhozefinë, Lul, Genc, Majlindë, Ilir e kompani që vjedhin pasurinë e shqiptarëve”, tha Balla.

a.k/NOA

KOMENTE