English

Basha nis takimet në njësinë nr.8: Zgjidhje varfërisë duke ruajtur pasurinë shpirtërore

Tiranë, 26 mars 2011, NOA- Pasi mori mbështetjen e partisë së tij, të aleatëve qeverisës dhe gjithë koalicionit “Aleanca për qytetarin” kandidati i saj Lulzim Basha, ditën e sotme ka nisur zyrtarisht takimet e tij me bazën kryeqytetase.

Pretendenti për tu bërë qytetari i parë i Tiranës, u premtoi qytetarëve kryeqytetas ulje të taksave për biznesin e vogël dhe zhvillim të lagjeve.

Ndërkaq ashtu si dhe pritej turi i kandidatit të maxhorancës, nisi në lagjen ku ai u rrit, pranë rrugës së Dibrës.

Në atë lagje Basha takoi qindra banorë të njësisë nr. 8 në rrugën Riza Cerova dhe në rrugën e Saraçëve.

Gjatë dëgjesave me të banorët evidentuan problematikat që ndeshin çdo ditë.

Ata thanë se taksat janë të larta, u mungojnë trotuaret, dhe shtëpitë e vjetra kanë nevojë urgjente për rikonstruksion.

Në të njëjtën linjë ishin edhe banorë të tjerë të cilët shtuan shqetësimin e infrastrukturës dhe faktin se lagjja e tyre ka mbetur e pazhvilluar megjithëse gjendet në mes të Tiranës.

Gjatë fjalës së tij me banorët, Basha tha se i nisi takimet në këtë zonë pasi është rritur aty.

Ai shtoi se prioritet i qeverisjes së tij do të jetë zhvillimi i zonave, madje shtoi se, “Kjo lagje ka nevojë për zhvillim. Pasurinë shpirtërore të lagjes duhet ta ruajmë dhe ti japim zgjidhje varfërisë”.

Ndër të tjera Basha premtoi se kur të jetë kryebashkiak do të ulë 2 deri në 5 herë taksat si dhe do të ketë prioritet zhvillimin dinamik të lagjeve të Tiranës.

a.y/NOA

KOMENTE