English

Berisha: Fitore dinjitoze me procesin më të bukur zgjedhor, kundër bllokmenëve hoxhistë

Kavajë, 26 mars 2011, NOA- (UPDATE)Kreu i qeverisë Sali Berisha ditën e sotme inauguroi në qytetin e Kavajës Pallatin e ri të Kulturës, një investim i qeverisë shqiptare me vlerë 236 milionë lekë.

Gjatë ceremonisë, kryeministri i shprehu drejtuesve vendorë të pranishëm faktin se qeveria do të mbështesë të gjithë përpjekjen e tyre për të shndërruar këtë pallat në një qendër të fuqishme të jetës kulturore artistike, por edhe shkencore të studimeve me të gjitha potencialet e saj.

Kryeministri Berisha vizitoi ekspozitën e arteve figurative e çelur në ambientet e Pallatit të Kulturës, ku u njoh nga afër me punimet e artistëve kavajas që jetojnë brenda dhe jashtë vendit. Ai vizitoi edhe sallën e bibliotekës si dhe bibliotekën elektronike.

Gjatë fjalës së tij ai u shpreh se, “Ju uroj një fitore të thellë në Kavajë dhe mbarë Shqipërinë. Një fitore dinjitoze për të nderuar Josif Budën dhe të gjithë qytetarët e Kavajës dhe të mbarë Shqipërisë, në këtë 20 vjetor të përmbysjes së regjimit diktatorial të bllokmenëve hoxhistë, qëllimi është që të shkojmë drejt këtyre zgjedhjeve me vendosmërinë më të madhe, për një proces zgjedhor më të bukur që ka njohur Shqipëria”.

Ai shtoi më tej se procesi zgjedhor i 8 majit do dëshmojë se dinjiteti dhe vullneti i çdo qytetari do respektohet dhe shprehet lirshëm.

Sipas tij, qytetarët do votojnë për ato që ju interesojnë atyre, fëmijëve të tyre, fqinjëve të tyre, komuniteteve, bashkive dhe komunave.

Kryeministri Berisha shtoi se, “Aleanca e Qytetarit” do të fokusohet, tek qytetari për qytetarin me qytetarin.

Ndërkaq Pallati i Kulturës i inauguruar do të jetë një qendër multifunksionale dhe mban emrin “Kavaljon”, që është edhe emri më i hershëm i qytetit të Kavajës.

Sipas Berishës, “Kavaljoni” është një dëshmi e kësaj përpjekje e kësaj dëshire dhe ju e parë se çfarë ekspozite, çfarë mundësie u krijua për piktor, për skulptorët, artistët e Kavajës, ne pamë vetëm artet pamore, sepse Kavaja ka potenciale shumë të mëdha krijuese”.

a.y/NOA

KOMENTE