Nju Jork, 26 mars, NOA - Qindra miliona njerëz në mbarë botën sonte shuajnë dritat për 60 minuta, në mbështetje të lëvizjes mjedisore “Ora e Tokës”. Nisma ka për qëllim të theksojë nevojën e kursimit të energjisë dhe të burimeve furnizuese.
Monumentet botërore, përfshirë Operan e Sidneit, Portën e Artë në San Francisko dhe Koloseun e Romës, kanë qëndruar në errësirë në vitet e kaluara, për të shënuar solidaritetin me lëvizjen.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, u ka bërë thirrje të gjitha vendeve të botës të marrin pjesë në “Orën e Tokës”, për të vënë në pah rëndësinë e reduktimit të energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit global.
“Ora e Tokës” filloi në Sidnej në vitin 2007, kur më shumë se dy milionë njerëz i fikën dritat në shtëpitë, zyrat dhe bizneset e tyre për një orë, duke sinjalizuar për konsumin e energjisë elektrike dhe ndotjen nga karboni.
NOA/RFE