English

Drejt fundit reality show Big Brother Albania 4

Big Brother Albania është duke shkuar drejt finales së madhe të dy prillit. Në shtëpi kanë mbetur edhe gjashtë banorë, ndërkaq të nominuar janë katër. Loja është e nxehtë, por kush do të largohet sonte nga shtëpia

Lojës në shtëpinë e Big Brother Albania 4 po i vjen fundi. Intriga, dashuri, lojë, debate të ndryshme, por edhe thashethemet na kanë përcjellë në këto 13 javë, ndërkaq gjithë këtë kënaqësi e ka ofruar për abonentët e saj paketa DigitAlb.

Por, në këtë javë janë katër të dominuar, të cilët ndoshta do të tregojnë edhe rrjedhën e finales.

Janë Ermela, Ergysi, Mirjeta dhe Neda, të cilat do të përballen në finalen e madhe, ndërkaq spektakli pritet të jetë shumë i nxehtë.

Injorohet çifti Ogren-Neda Një gjë interesante që është vërejtur gjatë kësaj jave është injorimi që i është bërë Ogrenit dhe Nedës nga banorët e tjerë të shtëpisë. Pavarësisht se ky çift është tentuar që të bashkohet me banorët e tjerë të shtëpisë, ata prapë nuk u janë afruar atyre, ndërkaq ka pasur thashetheme të ndryshme për Ogrenin. Megjithatë, Ogreni i ka thënë të dashurës së tij se ajo do të jetë fituesja morale e këtij spektakli.

Gjatë një debati mes tyre, gjatë natës së të premte, Neda thotë se protagonistët në shtëpi ose duhen, ose urrehen. Duke bërë një përmbledhje të ditëve që kanë kaluar në shtëpi, Neda thotë se ka qenë e aftë të përballojë presionin që vinte nga të gjithë banorët, gjë të cilën nuk mund ta përballonte askush tjetër. “Nuk ka qenë fare e lehtë për t’u përballuar dhe ti e ke përballuar me dinjitetin më të madh”, i thotë Ogreni. Ai mendon se publiku e ka vlerësuar Nedën dhe e ka lejuar që të qëndrojë ende në shtëpi. “Ti ke dinjitet dhe karakter të fortë dhe duhet të jesh krenare për këtë gjë”, i thotë Ogreni. Ogreni e shikon Nedën si fituesen morale të këtij edicioni, sepse ajo ka mundur të përballojë gjithçka, sipas tij. “Kur nis diçka, duhet ta çosh deri në fund dhe unë kam përshtypjen që ashtu do të jetë”, shprehet ai. Neda e miraton dhe thotë se edhe ajo ka shumë besim, shkruan e përditshmja e Prishtinës, “Express”.

Prova e parafundit Një provë interesante ka qenë edhe gjatë kësaj jave, e të cilën ua ka komunikuar Marieli. Në oborrin e shtëpisë është vendosur një tabelë dart-i. Çdonjëri prej banorëve duhet të grumbullojë deri në 68 monedha njëlekëshe për 1 minutë dhe gjithçka do të funksionojë me rënien e gongut. Lojën do ta fitojë ai që grumbullon më shumë monedha për një minutë. Më pas banorët dalin në oborr dhe fillojnë të bëjnë prova, pasi kanë vendosur tabelën në mur. Banori i cili ka grumbulluar më shumë monedha nga gjithë të tjerët është Ogreni. Loja nuk ka mbaruar me aq. Banorët duhet të luajnë basketboll në pjesën e jashtme të shtëpisë, ku është vendosur një tabelë basketbolli dhe 5 platforma monedhash njëlekëshe. I fundit nga banorët që kryen provën është Ogreni, i cili fut më shumë topa nga të gjithë në kosh dhe kështu ai shpallet finalist i kësaj prove.

Nostalgjia e Ogrenit Banorët shkojnë në pishinë dhe fillojnë të argëtohen me njëri-tjetrin, përveç Ogrenit dhe Nedës, të cilët ulen në kolltuk dhe diskutojnë rreth provës javore. Mira vendos kapele dhe mustaqe, duke u veshur kështu si burrë, ndërsa Ermela sillet si gruaja e tij. Vajzat aktrojnë, ndërkohë që djemtë qeshin sapo i shikojnë. Neda dhe Ogreni flasin për kafshët shtëpiake dhe dashurinë që ndiejnë për to. Ogreni thotë se njeriu në momentin që humbet një kafshë, ndihet aq keq sa mund të ndihet me humbjen e një njeriu. Ai thotë se kafshët të falin shumë kënaqësi, por duan kushte dhe shumë përkushtim nga njeriu. Më vonë, Ogreni shkon në dhomën e gjumit dhe fillon të bisedojë me Marielin për qëndrimin e tyre në “Big Brother”. Ogreni thotë se ditët e fundit janë ditët e nostalgjisë dhe tani u rrihet edhe më shumë brenda shtëpisë. Ata kujtojnë ngjarjet më të bukura që u kanë ndodhur dhe shprehen se do të kenë mall për këta muaj.

Kush do të largohet Duket se moskomunikimi i Nedës me banorët e tjerë nuk parapëlqehet shumë nga publiku, të cilët për 24 orë vëzhgojnë banorët e Big Brother Albania 4. Andaj, nga uebfaqe të ndryshme, të cilat në fund të spektaklit nuk vlejnë shumë për shkak se janë votat e telefonuesve ato që vendosin, thonë se Neda është ajo që mund ta lërë shtëpinë. As Mirjeta nuk i ka punët më mirë, përderisa duket se Gysi dhe Ermela kanë shanset më të pakta për të dalë nga shtëpia. Por, mos harroni mbrëmjen e së shtunës, sepse spektakël i paparë është paralajmëruar nga organizatorët në këtë natë gjysmëfinale.

KOMENTE