Tiranë, 26 mars, NOA - Rastet e konstatimit të dhunës policore ndaj personave të ndaluar në Shqipëri vihen re deri në momentin e dorëzimit të personave përgjegjës në komisariate. Kushtet e paraburgimit janë mjaft të vështira.
Arben Shkëmbi është komisioner në institucionin e Avokatit të Popullit. Ai mbulon ankesat dhe denoncimet që vijnë nga sektorët e policisë, gjykatave, prokurorisë dhe burgjeve, Duke ju referuar raportit më të fundit që ka përpiluar institucioni i tij, ai thotë për Dë se tani ka më pak ankesa nga qytetarët, por fenomeni i ushtrimit të dhunës së tepruar është prezent. “Në komisariate, në dhomat, ku mbahen të ndaluarit përgjithësisht nuk konstatohet dhunë apo shenja dhune. Rastet e konstatuara janë nga momenti i ndalimit deri në momentin e dorëzimit të tyre në komisariate ku janë kryer formalitetet. Në ambientet e policisë mbeten problematike dhomat e izolimit dhe dhomat ku mbahen të paraburgosurit. Janë probleme të evidentuara ndër vite, janë probleme që kërkojnë dhe mbështetje financiare. Në shumë komisariate ambientet janë ende të viteve ‘90”.
Mosndjekje penale nga instancat për policët që ushtrojnë dhunë ndaj të arrestuarve
Institucioni i Avokatit të Popullit për të gjitha rastet që i janë paraqitur ka bërë verifikimet dhe mbledhjet e dëshmive në vendngjarje duke përpiluar raporte kompetente me interpretime ligjore që i janë dërguar nstitucioneve përkatëse. Por në rastet e konstatuara të tejkalimit të dhunës nga policia është vënë re fenomeni se ndaj personave që kanë shkelur ligjin e rregulloret nuk ka patur ndjekje penale nga instancat eprore, gjë e kompromenton luftën për të parandaluar dhunën ndaj qytetarëve.
Arben Shkëmbi e kritikon këtë fakt: “Kur është ushtruar dhunë e punonjësve të policisë së shtetit ndaj personave që mbahen në ambiente të izoluara, nga rastet që ne kemi trajtuar vetëm një herë, ndaj policëve të Korcës është marrë masë dhe janë penalizuar. Ndërsa për rastet e tjera janë mjaftuar me masa administrative, me vërejtje apo ulje në detyrë. Pra nuk ka patur raste penalizmi ose paraqitje në gjykatë”,
Mungesa e profesionalizmit dallon nga qyteti në qytet
Altin Hazizaj, drejtor i Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Fëmijëve, CRCA, pohon ndryshimet që kanë ndodhur në performancën e policisë në trajtimin e qytetarëve që ndodhen në ambientet komisariateve, në paraburgim apo në burgje. Hazizaj thotë se për ngjarje ku është provuar ushtrim dhune nga punonjësit e policisë kryesisht ndaj të miturve, organizata e tij ka patur bashkëpunim me Avokatin e Popullit apo me Zyrën për luftën kundër diskriminimit.
“Ajo që vihet re me shqetësim dhe që e kemi shprehur ne si organizata për të drejtat e njeriut është fakti se sjellja e policisë nuk është profesionale në të gjitha nivelet e saj. Edhe nga qyteti në qytet ne shohim sjellje të ndryshme policore. Ndryshe sillen të themi policët në Tiranë, ndryshe sillen në një qytet tjetër. Këtu ka shumë për të bërë në atë që quhet ‘kornizimi i policisë', pra një punonjës policie duhet të ketë një sjellje standarte kudo që të jetë”.
Altin Hazizaj thotë për DW-në se Shqipëria ka ratifikuar dhe firmosur zbatimin e një sërë konventave ndërkombëtare që parandalojnë dhe dënojnë ushtrimin e dhunës apo të torturës. Organizata joqeveritare që ai drejton është në partneritet me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku përcjell çdo ankesë dhe shqetësim që ajo evidenton si raste për dhunë ndaj të miturve. “Kur nuk është gjetur gjuha e përbashkët kemi shfrytëzuar mbështetjen e plotë tek legjislacioni duke i prezantuar rastet në prokurori ose në gjykatë”. Një pjesë të ngjarjeve me tejkalim të dhunës kjo organizatë joqeveritare vijon ta marrë nga funksionimi i një linje kombëtare telefonike falas për të miturit, një projekt që mbështet nga UNICEF-i.
Deutsche Welle