English

Eshtrat e Dëshmorit të Atdheut, më në fund prehen të qeta në vendlindje

Ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami merr pjesë në rivarrimin e atdhetarit të kombit shqiptar, Shahin Toçi. Imami: Dëshmori Toçi, shembull nderi për të gjithë ata burra trima që nga Drenica, malet e Shkodrës dhe Tropojës, Dibrës dhe të Matit, Kolonjës burrnore, të Labërisë trime, të Çamërisë martire

Burrel, 26 mars 2011 NOA/ Raporti i plotë - Eshtrat e Dëshmorit të Atdheut, Shahin Toçi, më në fund do të prehen të qeta në vendlindjen e tij, Burrel. Në një ceremoni solemne, të organizuar nga Bashkia e Burrelit, familjes së të ndjerit Toçi dhe me përkrahjen e Ministrisë së Mbrojtjes, eshtrat e Dëshmorit të Atdheut, kanë mbërritur nga Italia mesditën e së premtes në Shqipëri, për t’u rivarrosur këtë të shtunë në vendin që ai aq shumë e donte, në Atdhe.

Homazhet për nder të Dëshmorit Toçi, i cili nuk u përkul as përballë plumbave të fashistëve italian duke pranuar edhe vdekjen, nisën në hollin e Bashkisë Burrel, ku mes familjarëve, të afërmve dhe miqve të familjes Toçi, ishte i pranishëm edhe Ministri i Mbrojtjes Shqiptare, z. Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral major Maksim Malaj, përfaqësues të Prësidencës, deputetë të Parlamentit Shqiptarë, Leka Zogu (junior), drejtues forcash në Forcat e Armatosura, etj.

Pas kryerjes së homazheve në hollin e Bashkisë, ceremonia u zhvendos në Varrezat e Dëshmorëve të rrethit Mat, ku u bë edhe rivarrimi i eshtrave të të ndjerit Toçi. Përveç kurorave me lule të vendosura nga krerët më të lartë që merrnin pjesë në këtë ceremoni, skuadra e pushkatarëve përshëndetën me të shtëna armësh në nder të dëshmorit.

Ceremonia solemne vijoi më pas në Qendrën Kulturore Burrel, ku një fjalim përshëndetës u mbajt edhe nga Ministri i Mbrojtjes Shqiptare, z. Arben Imami. Duke iu drejtuar familjarëve të familjes Toçi dhe të gjithë qytetarëve që kishin mbushur sallën, ministri Imami u shpreh: “Është një ditë e veçantë për të gjithë ne që vijmë sot për të nderuar veprën e një patrioti të madh shqiptar. Është një ditë emocionesh të veçanta, sepse ky nuk është një akt i thjeshtë kujtese, ky është një akt aktualizimi të dhembjes sonë, të respektit tonë, të nderimit tonë, për shahin Toçi-n, dëshmor i Atdheut. Është një akt nderimi për të gjithë ata burra trima, patriotë, luftëtar, dëshmorë, heronj që sakrifikuan jetën dhe gjithçka për lirinë e këtij vendi, që sakrifikuan gjithçka për flamurin tonë kombëtar, se ky flamur dhe ky vend është i larë me gjakun e tyre. Është një akt i madh civil që sot u bë e mundur që eshtrat e Shahin Toçit të prehen në vendin e tij të lindjes, në Atdheun e tij, që sot është ashtu siç ai e kishte dashur, një vend i lirë mes vendesh të lira. Prej sot, eshtrat e Shahin Toçit, e këtij patrioti që u shpall Dëshmor i Atdheut në vitin 1970, do të pushojnë në Matin e tij të dashur, në këtë tokë trimash e burrash fisnik, e do ta bëjnë përherë e të paharrueshëm patriotizmin dhe kontributin e tij për lirinë e vendit”, nënvizoi ministri Imami.

Duke u kthyer pas në kohë e duke bërë një retrospektivë të shkurtër mbi jetën e shkurtër, sakrificën dhe rrugëtimin e karrierës së Dëshmorit Toçi, ministri Imami theksoi: “Për vlerat e tij, ai do të dekorohej me “Urdhrin e Flamurit të Klasit të I, (parë)”, nga Presidenti i Republikës në vitin 1994. Sot, ne të gjithë së bashku dhe unë në veçanti ndihem i nderuar që në emër të Ministrisë së Mbrojtjes pata mundësinë që të angazhohem duke dhënë një kontribut modest në këtë ceremoni të shkëlqyer që u bë sot në qytetin e Burrelit. Është një akt simbolik i mirënjohjes sonë të përjetshme për dëshmorët e këtij vendi. Patrioti Shahin Toçi, i cili u martirizua për flamurin tonë kombëtar është krenaria e përjetshme e djalërisë shqiptare, e ushtarakut trim, profesionist, patriot që sakrifikoi jetën e tij për flamurin e tij, për simbolin themelor të këtij kombi, në moshë fare të re. Ai përfaqësoi denjësisht figurën e ushtarakut shqiptar me tiparet më të mira edhe gjatë studimeve në Itali. Pushtimi italian i 7 prillit të vitit ’39 do ta gjente në protestën e ushtarakëve shqiptarë që studionin në Akademitë italiane. Ndonëse të dhënat bibliografike nuk janë të plota, të gjitha të çojnë në të vërtetën e madhe, se pushtimi fashist i vitit 1939 e gjen patriotin Shahin Toçi, student në Itali, në mesin e shqiptarëve që u rreshtuan kundër okupimit fashist të Shqipërisë, në mbrojtje të flamurit dhe Atdheut. Jeta e Shahin Toçit, peripecitë e studimeve në Itali dhe përgjithësisht ekzistenca e tij në pjesën e fundit të jetës, kanë qenë një dramë e vërtetë, e cila do të zhvillohej larg atdheut dhe që përfshinte dinamikën e ngjarjeve të turbullta për Shqipërinë, në vitin 1939. I rreshtuar, edhe për shkak të prejardhjes së tij nga Mati, në krah të Mbretit Ahmet Zog, studenti ushtarak Shahin Toçi do të provonte një dilemë të fortë të brendshme, në ditët kur Italia do të pushtonte Shqipërinë dhe kur i gjithë sistemi shqiptar i vlerave tradicionale do të provonte krizën e Luftës së Dytë Botërore. Në fakt, këtu shtrohet një nga problemet më të mëdha edhe të kohës së sotme”, deklaroi ministri Imami.

Ndërsa fliste për ndjenjën e patriotizmit që e ndiqte atdhetarin Toçi, ministri i Mbrojtjes, z. Imami, bëri edhe një krahasim mbi shembullin që duhet të ndjeki në ditët e sotme edhe ushtari i Forcave të Armatosura Shqiptare. “Padyshim që ky djalë trim i Matit, vepronte mbi bazën e një kodi nderi të malësive tona që ka qenë dhe mbetet i bazuar tek ndershmëria, tek fjala e dhënë, tek besa. Në kohët moderne, edhe ushtria jonë sikurse ushtritë e tjera shkojnë drejt profesionalizimit. Një njeri i shquar i kohërave tona bën pyetje: A është një virtyt patriotizmi? Padyshim që patriotizmi është një virtyt! Ky shembull i shkëlqyer i patriotizmit të një ushtaraku të diplomuar, oficer, si Shahin Toçi duhet të jetë një model sjelljeje, një shembull edhe për ushtarakun tonë. Ai ishte ndër të parët që hodhi idenë e organizimit të studentëve, për t’u kthyer në Shqipëri dhe për të luftuar për çlirimin e vendit”.

Duke cituar një pjesë nga fjalët e Dëshmorit të Atdheut, ministri Imami tha: “Këta që flasin me fjalë të bukura dhe që e mbajnë veten të qytetëruar, në fakt justifikojnë robërinë e popujve”, -shprehej në ditët e pushtimit fashist të Shqipërisë ai, duke iu drejtuar shokëve me fjalët:

“S’ka mbetur rrugë tjetër, veçse të hedhim armët dhe rrobën fashiste, e të kthehemi në atdheun tonë. Atje s’ka humbur besa, as burrëria. Atje mund të organizohemi edhe më mirë, për të hedhur tutje robërinë”.

“Shahin Toçi u mbush me dëshpërim kur kurora mbretërore shqiptare u dorëzua në Romë nga garda kombëtare shqiptare, çka do të përjetohej nga ai si një tragjedi, si një tradhëti kombëtare. Megjithatë, Shahin Toçi diti të qëndrojë si një shqiptar, burrë i fortë dhe trim edhe në ato ditë të vështira të pushtimit fashist për Shqipërinë, por edhe ditë të vështira dhe të errëta për popullin mik të Italisë. Në maj të vitit 1939, studentët shqiptarë në Akademinë Ushtarake, i mbledhin në një sallë të madhe, për të bërë betimin fashist dhe iu kërkua të angazhoheshin se do të ishin në shërbim të plotë të Romës. Por ditën e betimit, në një ceremoni të blinduar nga trupat e ushtrisë italiane, ku merrte pjesë dhe nënsekretari i luftës, Pariani, studenti Shahin Toçi u paraqit me një shirit kuq e zi, dy ngjyrat e flamurit tonë, mbi uniformën ushtarake italiane. Kërkesës së gjeneralit italian për ta hequr këtë shirit, sepse mbreti shqiptar kishte rënë, ai iu përgjigj duke thënë se “Mbretërit mund të bien, edhe uniformat mund të ndërrohen, por ky shirit, kuq e zi, mbetet”. Ai kundështoi edhe recitimin e formulës së betimit, një ditë më vonë, duke ngritur zërin lart për të thënë se “Shqiptarët betohen vetëm para Flamurit kuq e zi!”

Ministri Imami ka vijuar më tej duke shtuar se: “Në këto ditë të rrezikut fashist studenti ushtarak kurajoz kishte vetëm një ide në kokë, që të kthehej sa më parë në Shqipëri, dëshirë që fatkeqësisht nuk do ta realizonte dot, për shkak të ndërprerjes në mënyrë tragjike të jetës së tij. Por, Shahin Toçi, është dhe do të mbetet shembull nderi për të gjithë ushtarakët tanë, do të mbetet shembull nderi për të gjithë patriotizmin shqiptar, për të gjithë ata burra trima që nga Drenica, nga malet e Shkodrës dhe Tropojës, malet e Dibrës dhe të Matit, Kolonjës burrnore, të Labërisë trime, të Çamërisë martire. Ai do të mbetet një shembull për brezin e ri, se çdo me thënë vend i yti, çdo me thënë Atdhe, çdo me thënë Flamur”, përfundoi ministri i Mbrojtjes, z. Imami.

Duke përcjellë këtë mesazh për të gjithë të rinjtë dhe të rejat shqiptare, ministri Imami falënderoi të pranishmit në sallë, duke u shprehur: “Më lejoni të falenderoj me këtë rast, të gjithë ata që bënë të mundur kthimin e eshtrave të patriotit në vendin e tij, në rradhë të parë kryetarin e Bashkisë së Burrelit, deputetin Qemal Minxhozi, deputetin Hoxha, deputetin Fatmir Toçi, ambasadorin Lleshi dhe autoritetet italiane. U preftë në paqe në tokën e tij që aq shumë e deshi dhe e ëndërroi, Lavdi Dëshmorit Toçi, Lavdi përjetë Dëshmorëve të Atdheut”.

Shahin Toçi është shembull nderi, jo vetëm për vendlindjen e tij, Matin, por edhe për të gjithë Shqipërinë, për të cilën ne dhe historia i mbetemi borxhlinj patriotizmit dhe shqiptarizmit të tij.

Në përfundim të ceremonisë u dha edhe një dokumentar televiziv për nder të Dëshmorit të Atdheut Toçi, si dhe një koncert me një repertor të përzgjedhur enkas për këtë ditë nga banda frymore e Forcave të Armatosura, nga grupi i këngëve dhe valleve të grupit të Matit dhe grupit muzikor nga Kuçi i Vlorës, të cilët kishin ardhur enkas me këtë rast nga Vlora e largët.

Dy fjalë për dëshmorin Toçi:

Shahin Toçi lindi në vitin 1914 në një familje me tradita patriotike në Urxallë të rrethit Mat. Mësimet e para i mori në shkollën Derjan të vendit të tij të lindjes. Në vitin 1934 mbaron studimet në shkollën Mbretërore Ushtarake në Tiranë. Në të njëjtin vit, fiton konkursin për studimet ushtarake në Kolegjin Ushtarak të Napolit, Itali. Kthehet në Atdhe në vitin 1937 dhe po këtë vit nis studimet në Akademinë Ushtarake të Modenas në Itali. Pas rikthimit në Atdhe në vitin1938, punon në Ministrinë e Mbrojtjes. Ai do të shkëlqente në shkollën “Mbretëria Ushtarake” ku u fut nën kujdesin e vetë Mbretit Zog, edhe në shkollën Teknike në Tiranë, sikundër edhe në Kolegjin ushtarak të Napolit në Itali.

Do të diplomohej me Numrin 1, në Kolegj, nga Komandanti i Akademisë Kolonel Vitorio Xhiovaneli. Por do të spikaste edhe në Akademinë Ushtarake të Modenas, po ashtu edhe gjatë kualifikimit të lartë në Romë, ne vitin 1938.Në maj të vitit 1939, gjatë zhvillimit të ceremonisë për betimin ushtarak, Shahin Toçi mbron me krenari flamurin Shqiptar, duke dalë në këtë mënyrë kundra fashistëve italian.

Përballë autoriteteve të larta ushtarake italiane, ai i bën thirrje studentëve e oficerëve shqiptarë të mbrojnë ngjyrat e flamurit shqiptar. Thirrja e tij: “Unë bie në gjunjë vetëm para flamurit tim”, u bë frymëzim dhe krah i fuqishëm për studentët dhe oficerët shqiptarë. Pas këtij qëndrimi Shahin Toçi vritet nga policia sekrete fashiste. Varroset në mënyrë të fshehtë në Romë, më 25 maj 1939.

Dekoratat:

Dekrohet me “Urdhrin e Trimërisë”, më 20. 03. 1961.

Shpallet Dëshmor i Atdheut, më 15. 10. 1970.

Dekorohet me “Urdhërin e Flamurit Kombëtar të kl. I”, më 10. 02. 1994.

Për patriotizmin e tij ai është nderuar edhe nga komuna e Derjanit që e shpalli Shahin Toçin “Qytetar nderi” në vitin 1999.

Sot, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bamir Topi, i jep Shahin Toçit, (pas vdekjes), “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, me motivacionin: “Në nderim të thellë të aktit të lartë qytetar dhe patriotik, për kundërshtimin për tu betuar si ushtar, para flamurit fashist italian, çka do ti kushtonte jetën më pas, por që do të mbetej ndër shembujt gjithnjë frymëzues të dinjitetit dhe atdhedashurisë”, urdhër të cilin Ministri i Mbrojtjes Shqiptare z. Imami ia dhuroi nipit të Shahin Toçit.

e.t/NOA

KOMENTE
  • Ndoc Mandreja11:06 - 27 Mars 2011
    Ky deshmor i atdheut,eshte njeri nga ata shume patriote te cilet dhane jeten per flamurin tone kombetare.Ky rivarrim i tij si hero,pikerisht ne keto momente delikate per vendin tone,duhet te sherbeje si nje nxitje e krenarise tone kombetare,dhe mos lejimin e askujt qe te luaj me ndjenjat dhe krenarin tone kombetare.Kjo duhet te sherbeje edhe si kujtese per keta pushtetare tane,se flamuri yne kombetare nuk mvaret nga ngjyrat politike te partise ne pushtet apo te koshences se tyre patriotike.Pushteti duhet te dije vetem nje gje,qe flamuri yne kombetare nuk eshte nje deshire por nje detyrim kombetare.