English

EULEX, plan për zhveshjen e Limajt nga imuniteti

Prishtinë, 26 mars 2011, NOA- Misioni EULEX është i vendosur ti shkojë deri në fund procesit ndaj ish-ministrit të Transportit të Kosovës Fatmir Limaj, i akuzuar për krime lufte.

Një nga të përditshmet kosovare publikon të dhëna ku thotë se shefi i këtij misioni, Xavier De Marnhac, ka shkuar të premten në mëngjes në ambientet e Presidencës për të takuar kreun e saj, Behxhet Pacolli, për të biseduar lidhur me mundësinë për heqjen e imunitetit të deputetit Limaj.

Mësohet se shefi i EULEX i ka kërkuar ndihmën e presidentit Pacolli për të proceduar në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të Limajt.

Arrestimi i tij nga ky mision, nuk është bërë për shkak se mund të çojë në ndonjë destabilizim të situatës në vend, pasi krahas tij përfshihen edhe 11 persona të tjerë.

Ndërkohë zëdhënësja e EULEX, Kristina Herods, nuk ka dhënë detaje për takimin Pacolli- De Marnhac, pasi sipas saj nuk ka pasur ndonjë çështje specifike që është diskutuar.

Ndërkaq zëra të ndryshëm të drejtësisë kosovare flasin për një gjykim të lirë ndaj Limajt, pasi supozohet se në kohën kur janë kryer krimet, ai nuk ishte deputet dhe si i tillë nuk kishte as imunitet.

a.y/NOA

KOMENTE