English

“Një ditë për ju”, dhurata dhe shfaqje artistike për fëmijët e policëve të vrarë

Tiranë, 26 mars 2011, NOA- “Një ditë për ju”, është quajtur aktiviteti kushtuar fëmijëve të policëve të vrarë në krye të detyrës.

Qendra Kulturore Kombëtare e Fëmijëve në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë zhvilluar sot, një shfaqje artistike, e realizuar në formën e një programi me këngë, valle e recitime të interpretuara nga vetë aktorët profesionistë dhe fëmijët e kësaj qendre.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin përfaqësues të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

Gjatë fjalës së saj përshëndetëse në këtë aktivitet, zv.Ministrja e Brendshme, Iva Zajmi tha se, nëpërmjet këtij aktiviteti shprehet solidariteti, mbështetja dhe falenderimi për aktin sublim të prindërve të këtyre fëmijëve.

Në mbështetje të vështirësisë së jetës së tyre pa praninë e prindërve, Zajmi theksoi edhe vendimin e qeverisë për dhënien e pagës së plotë për fëmijët e policive të rënë, deri kur ata të arrijnë në moshën madhore, si edhe bursat e dhëna falas apo pushimet verore.

Ajo shtoi gjithashtu se vëmendja e shtetit ndaj tyre nuk do të mungojë në asnjë moment.

“Edhe pse nuk mund t’u kthejmë këtyre fëmijëve atë që u mungon më tepër në jetë, respekti dhe mbështetja me të gjitha mjetet financiare, apo shpirtërore, është e domosdoshme. Mendoj se përmes këtij aktiviteti, fëmijëve u transmetohet një mesazh dashurie, solidariteti dhe mbështetje dhe njëkohësisht ne mund t’u shprehim atyre respektin dhe mbështetjen tonë për ata që dhanë jetën në krye të detyrës”, u shpreh zv.Ministrja e Brendshme.

Ajo theksoi gjithashtu se ndaj këtyre fëmijëve duhet një mbështetje edhe më e madhe nga shoqëria civile.

Nga ana e tij Drejtori i Qendrës Kulturore Kombëtare të Fëmijëve, Flamur Shehu, theksoi se kjo qendër ka pasur në program një aktivitet dedikuar fëmijëve të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës dhe do ta ketë çdo vit në po të njëjtën datë.

Sipas tij ky aktivitet vjen që këtë fëmijë të ndihen të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre.

Rreth 120 fëmijë të policëve të rënë në krye të detyrës në përfundim të aktivitetit morën dhurata dhe mbështetje nga të pranishmit.

a.y/NOA

KOMENTE