Tiranë, 26 mars, NOA – Pas deklaratave të kryeministrit Sali Berisha sot në qytetin e Kavajës ka ardhur dhe reagimi i Partisë Socialiste. Deputetja, Ermonela Felaj tha se kreu i qeverisë është përgjegjësi për varfërinë dhe padrejtësisë që bëhen ndaj shqiptarëve. Ajo theksoi se Berisha vodhi votat për të vazhduar korrupsionin dhe se vrau në 21 janar për të vazhduar të vjedh.
“Është faji i Saliut për korrupsionin që po shkatërron çdo biznes e që tre vjet më parë vrau 26 njerëz në Gërdec. Është faji i Saliut që në 21 janar, katër shqiptarë të pafajshëm që kërkonin punë ë transparencë, morën si përgjigje 4 plumba vdekjeprurës.
Saliu flet për karrige, por shqiptarët e dinë mirë se për të ruajtur karrigen e vet, Saliu urdhëroi vrasjen e 4 shqiptarëve dhe kandidoi në Tiranë pikërisht njeriun përgjegjës të drejtpërdrejtë për vrasjen e Ziverit, Hekuranit, Aleksit dhe Faikut”, tha Felaj.
Ajo shtoi se kryeministri nuk mund të akuzojë për shpifje opozitëm pasi të gjithë i dinë abuzimet që ka bërë qeveria.
“Sali Berisha gjen kurajon dhe akuzon opozitën për shpifje, por ndërkohë nuk ka shqiptar që të mos i dijë të vërtetat për gjithë të zezat që ka bërë Saliu. Saliu vodhi zgjedhjet për të vjedhur shqiptarët e në 21 janar vrau 4 shqiptaret e pafajshëm për të vazhduar të vjedhë”, tha ajo.
Felaj shtoi se është faji i Saliut që sot janë mbi 1 milion të papunë në Shqipëri dhe se “është faji i Saliut që sot varfëria është ulur këmbëkryq në çdo familje shqiptare jashtë oborrit të Saliut. Sado që Saliu vazhdon të shpifë e akuzojë, në 8 maj shqiptarët do i japin një mesazh të qartë Berishës: kurrë më”.
a.k./NOA