Tiranë, 26 mars 2011, NOA- Kompleksi Parlamentar që pritet të ndërtohet dhe konkursi për të është kthyer prej dy ditësh në mollën e sherrit mes opozitës dhe maxhorancës.
Pas akuzave nga ana e Partisë Socialiste se projekti parlamentar ishte shpallur fitues kohë më parë ka reaguar zëdhënësja e kryeparlamentares Jozefina Topalli, Suela Ruseti.
Sipas saj, “Deklarata e shokut Edvin Kristaq Rama është një gënjeshtër fund e krye, jo vetëm në çdo fjali, jo vetëm në çdo fjalë, por në çdo germë dhe shifër të saj. Shoku Edvin Rama gënjen për gjithçka në lidhje me rikonstruksionin e sallës së seancave plenare, gënjen për apartamentin, gënjen për reklamat, gënjen për votimin në internet”.
Më tej shtohet se konkursi i Kompleksit Parlamentar ka qenë konkursi më i hapur, më publik dhe më transparenti i të gjitha ndërtimeve që janë bërë në vendin tonë.
Ndërkaq thuhet se në konkurs kanë qenë të ftuar studio më të mira Ndërkombëtare që kanë paraqitur projektet e tyre studiot më autoritare të arkitekturës Botërore pa përjashtuar asnjë.
Sipas Rusetit, fituesi i çmimit të parë Wolfgang Prix është ylli i arkitekturës Botërore, duke shtuar se nuk ka pasur ndonjëherë një juri të personaliteteve të këtij kalibri, pa folur për kryetarin e Jurisë, zoti Hans Ibelings, maja e kritikës arkitekturore Botërore.
Në vijim ajo shtoi se, transparenca e plotë e bëri që të zgjidhej më e mira, siç e meriton celebrimi i 100 Vjetorit të themelimit te Shtetit Shqiptar.
“Kryetarja e Kuvendit sqaron se nëse do t’i kishte shkuar ndonjëherë në mendje të abuzonte me fondet publike, duke trukuar konkurse apo sajuar konkurime, do të kishte vendosur të merrte teserën e Partisë Socialiste dhe të drejtonte Bashkinë e Tiranës.
Kuvendi i Shqipërisë nuk është Bashkia e Tiranës, është modeli krejt i kundërt i saj”, përfundon deklarata e Kryesisë së Kuvendit.
a.y/NOA