“Shpesh më pyesin edhe pse nuk aktivizohem në politikë, e unë u përgjigjem me kundërpyetje: Vallë që të shtohet edhe një si gjithë të tjerët, që të dëshmojmë edhe më bindshëm se aty ku të gjithë merren me politikë, nuk ka programe e projekte politike, por çdo gjë është në duart e “maunokratëve” dhe “tenderokratëve”!? Miqtë e gazetarët, kohëve të fundit çka nuk më pyesin, ngaqë janë kapur nga ethet parazgjedhore”....
Nga Kim Mehmeti
Më pyesin pse nuk shkruaj më shpesh si dikur, pse jam heshtur. Unë u them: Vallë nuk e shihni se fjalët kanë humbur çdo kuptim, se sa më e zëshme bëhet zhurma, aq më shumë ndjehemi si në shkretëtirë ku dëgjohet vetëm ushtima e shtrëngatës që i gllabëron të gjitha britmat. Shpesh më pyesin edhe pse nuk aktivizohem në politikë, e unë u përgjigjem me kundërpyetje: Vallë që të shtohet edhe një si gjithë të tjerët, që të dëshmojmë edhe më bindshëm se aty ku të gjithë merren me politikë, nuk ka programe e projekte politike, por çdo gjë është në duart e “maunokratëve” dhe “tenderokratëve”!? Miqtë e gazetarët, kohëve të fundit çka nuk më pyesin, ngaqë janë kapur nga ethet parazgjedhore. Unë gjithnjë e më pak ndiej nevojë t’u përgjigjem, më është e lodhshme të shpjegoj si ndjehet njeriu që jeton në një shtet që i ngjan kompjuterit të bllokuar, e i cili duhet ristartuar dhe riprogramuar nga e para. Pastaj, nuk di t’ua përshkruaj as ndjenjën e njeriut që jeton në shtet të okupuar nga mendësia “gruevskiane”, ku të gjithë janë kapur në pezhishkën e kësaj mendësie, e cila mendësi Maqedoninë e sheh vetëm si inkubator në të cilin duhet mirëmbajtur embrioni i qenies etnike të atyre që vetveten sot e quajnë maqedonas. Dhe i preokupuar ta mbyllë sa më mirë kafazin ku do forcohet boshti kurrizor i këtij populli, Gruevski e ngulfati Maqedoninë, e së bashku me të, edhe shoqërinë shqiptare në këtë shtet. Pra, përderisa miq e gazetarë më pyesin çka do bëhet me këtë shtet e më shqiptarët në te dhe, duke mos e njohur gjuhën diplomatike, unë vazhdoj të përballem me paaftësinë time për ta përshkruar gjendjen e tanishme të shtetit ku jetoj, e që më ngjan edhe në veturë me motor të bllokuar, që ka nevojë për “riparim” të tërësishëm, por i cili nuk i bëhet edhe shkaku i paaftësive të partive politike shqiptare, të cilat assesi të dalin nga pozita e tyre vasale ndaj sunduesit maqedonas.
Gazetarët dhe miqtë më pyesin, me cilat oferta do dalë Ali Ahmeti në zgjedhjet e paralajmëruara të parakohshme parlamentare, me cilat rezultatet të deritanishme ai do i joshë votuesit e vet. Unë sërish nuk di si t’ua shpjegoj se partia që është pjesë e një qeverie duhet të lëvdohet me rezultatet që ka arritur qeveria ku ajo bën pjesë. Dua t’u them se Ali Ahmeti do duhej që në fushatën parazgjedhore të radhiste sukseset që ka arritur Gruevski, i mbështetur fuqimisht nga partia e tij, pra se ai do duhej të fillonte me botimin e “Enciklopedisë maqedonase” me të cilën u fyen shqiptarët, pastaj të vazhdonte me ndërtimin e dhjetëra përmendoreve në qendër të Shkupit, pa pasur asnjë monument nga e kaluara shqiptare dhe të përfundonte me kishën e ndërtuar brenda një nate në kalanë ilire të Shkupit. Pra, u shpjegoj gazetarëve dhe miqve se në shtetet demokratike ka një parim: partia që është pjesë e qeverisë përgjigjet për mosrealizimin e programeve qeveritare dhe mburret me të arrirat e asaj garniture pushtetmbajtëse. Dhe, çdo gjë jashtë kësaj logjike është dyfytyrësi dhe përbuzje e atyre që ke përfaqësuar në organet më të larta shtetërore.
Gazetarët janë të lezetshëm si fëmijët kureshtarë, ngaqë dinë të të pyesin edhe atë që kurrë nuk të ka shkuar ndërmend. Kështu për shembull, këto ditë, njëri nga ata më pyeti se çka mund të jetë ajo që e bën Ali Ahmetin të ndjehet aq inferior ndaj Gruevskit. Unë i them se nuk kam të dhëna për ta kuptuar pse Ahmeti aq u “dashurua” në Gruevskin, por e di se nuk është e vërtetë se Porta Triumfale që ndërton kryeministri i Maqedonisë në qendër të Shkupit nuk simbolizon asgjë, se e di që ajo simbolizon triumfin e Gruevskit në betejën për ta margjinalizuar faktorin politik shqiptar në Maqedoni dhe shikuar nga ky këndvështrim, ai është objekti më domethënës në tërësinë e projektit “Shkupi 2014”, ngaqë shqiptarëve të këtushëm do ua rikujtojë vitet kur Gruevski harxhonte paratë e tyre për të ndërtuar kisha e përmendore, e Ali Ahmeti e vinte në gjumë popullin e vet me rrëfimet për vitet e lumtura që e presin atë popull pasi shteti të bëhet anëtar i NATO-s e BE-së, edhe atë me shqiptarët e maqedonas të vëllazëruar. Por, ndërkohë duke menduar se ne nuk e dimë që vëllezërit janë vëllezër, por kuletat kurrë nuk janë motra dhe se vëlla i madh quhet ai që kontrollon thesarin e shtëpisë e nuk të pyet si atë do e harxhojë.
Gazetarëve dhe miqve u shpjegojë se për ta kuptuar pozitën e BDI-së në qeverinë e Gruevskit, mjafton të shohësh pushtetarët shqiptarë që janë përfshirë nëpër afera të ndryshme financiare, mjafton të dëgjosh rrëfimet si sillen gjykatat e Gruevskit ndaj shqiptarëve që morën pjesë në protestat e para do kohësh në Kalanë e Shkupit, të shohësh si dënohet me tre vite burg prindi i nënkryetarit të BDI-së, mbase vetëm sa për t’ia thyer boshtin kurrizor një përfaqësuesi më të spikatur e më të guximshëm të kësaj partie. Dhe kur do përballesh me gjitha këto të vërteta, do arrish deri te pyetje e logjikshme: si mund t’i mbrojë interesat e popullit një parti që nuk mund t’i mbrojë as anëtarët e vet partiakë, një parti e cila të vetmen që i lejohet ta bëjë është të largojë nga puna apo të pranojë në punë dhjetëra shqiptarë!? Andaj, u them gazetarëve e miqve, Ali Ahmeti është viktimë që i kanoset çdo vasali të cilin e mban nën kontroll sunduesi, vasal për të cilin sunduesi i di të gjitha dhe ia kontrollon çdo lëvizje, e ai – vasali - nuk di asgjë lidhur me atë se çka i ka kurdisur sunduesi. Pastaj u them gazetares e miqve, inferioriteti i BDI-së në qeveri është pagë e pashmangshme që e paguajnë injorantët politikë, injorantë që shpeshherë i ngjajnë njeriut që nuk di të lexojë, andaj edhe nuk e kupton se vallë është duke shkelur mbi ndonjë libër të rëndomtë, apo mbi Kuranin e Biblën.
Miqtë dhe gazetarët më pyesin se çka mendoj lidhur me spekulimet se, në një nga takimet mes liderëve partiakë, i pyetur se çka mendon lidhur me bllokimin e xhiro-llogarive të televizionit ‘A1’ dhe të gazetave të Ramkovskit, Ali Ahmeti paska thënë: Mirë e kanë, se gazeta “Koha e re” më ka shpallur shitës të interesave shqiptare. Miqve dhe gazetarëve u them se është e padrejtë dhe jokorrekte ta shpallësh Ali Ahmetin shitës të interesave shqiptare, se ai e do popullin e vet mbase më shumë se gjithë ne të tjerët dhe se në qeverinë e Gruevskit ai as shet, as ble, por vetëm pret ditën fatlume kur Maqedonia do bëhet anëtare e NATO-së dhe BE-së, e ndërkohë Gruevski ndërton objekte që do shënojnë kohën kur ky kryeministër e sforconte boshtin kurrizor të popullit të vet duke e asgjësuar shtetin dhe duke i frustruar shqiptarët e këtushëm. U them pra, se njerëzit tanë që na përfaqësojnë nëpër institucionet më të larta shtetërore, nuk duhen emëruar gabimisht, por me emrin e duhur: injorantë politikë që nuk e kuptojnë se edhe Gruevski e di se kjo Maqedoni një ditë do duhet të veprojë ndryshe, por duke pritur atë ditë, ai punon, i harxhon edhe parat e taksapaguesve shqiptarë, me çka humbësi dihet që tani, dhe nuk ka nevojë të pritet dita e “vëllazërim bashkimit” që ta kuptosh se cili nga vëllezërit do përballet me humbjen që nuk kompensohet.
Gazetarë e miq, ditëve të fundit më lodhën me pyetjet nga është katandisur Maqedonia. Për të mos u lodhur duke përsëritur gjërat që qindra herë i kam thënë, e pranoj se nuk e di, por se jam i sigurt se ajo i harxhoi të gjitha mundësit të ndërtohet si një shtet unitar i qytetarëve të barabartë dhe se tani i ka mbetur ta provojë vetëm formulën e shtetit dyetnik. Pastaj u them se këto do jenë zgjedhje parlamentare në të cilat do fitojë ajo parti shqiptare që do i tregojë qartë këtij populli se si e paramendon “Shqipërinë” e Maqedonisë. Mbase, u shpjegoj gazetarëve e miqve, kësaj radhe shqiptarët e këtushëm do jenë aq të mençur sa t’i pyesin kryesuesit e partive të tyre se në ç’mënyrë do dalin nga pozita vasale përballë sunduesit maqedonas, në bazë të cilës platforme do bënin koalicionet qeverisëse dhe a do pranonin ata të bëheshin zëvendëskryeministra, që të mos fshiheshin më tej pas injorancës së të zgjedhurve të tyre. Por, gazetarët janë kureshtarë e miqtë dinë edhe të të mbivlerësojnë, e më pyesin se çka do ndodhë nëse Gruevski vazhdon të ndërtojë kisha e përmendore, e pushtetarët shqiptarë edhe më tej mbeten të kënaqur me një sekretaresh dhe një veturë luksoze. Për çudi, unë nuk ndjehem i privilegjuar pse ata më pyesin për gjërat që i di vetëm Zoti, por sinqerisht u them: nëse ky shtet vazhdon rrugës që është katandisur, ai do të zhbëhet. Dhe mbase kjo do jetë merita e vetme me të cilën do mund të mburren edhe partitë shqiptare, mbase atëherë kryesuesit e partive të këtushme shqiptare, sërish do e shpallin vetveten heronj e do thonë se kanë pranuar rolin e vasalit ngaqë e kanë ditur se “perandoria” një ditë do shkatërrohet.
NOA