English

Dialogu me Kosovën, Tadiç: Po kontribuojmë për paqen në rajon

Bruksel, 27 mars, NOA - Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka deklaruar se ekzistojnë shanse të mëdha për Serbinë për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Tadiç i bëri këto komente në Bruksel, pas takimit me zyrtarë të lartë të bllokut. Ai tha se "Serbia nuk do dhe nuk duhet të ndërhyjë në punët e brendshme të vendeve të tjera në rajon".

"Serbia udhëheq një politikë, e cila siguron paqen", deklaroi Tadiç. Ai tha se u ka përcjellë zyrtarëve evropianë gatishmërinë e Beogradit "për të marrë pjesë në procesin, i cili do të zgjidhte konfliktin midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë".

Tadiç u tha gazetarëve se bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë "kontribut historik për paqen dhe stabilitetin në rajon", duke shtuar se ai është i vetëdijshëm se "në BE nuk mund të shkohet me konflikte të pazgjidhura rajonale".

Presidenti serb tha se formimi i qeverisë në Bosnjë e Hercegovinë pa pjesëmarrjen e palëve kryesore të popullit kroat mund të shkaktojë tensione në vend.

Ai theksoi se çdo ndryshim në Bosnjë duhet të jetë në përputhje me interesat e dy entiteteve dhe të tre popujve, si dhe duke zbatuar Marrëveshjen e Dejtonit.

NOA

KOMENTE