Përmet, 27 mars 2011, NOA- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka prezantuar në qytetin e Përmetit kandidatin për këtë bashki.
Kujtim Hoxha është cilësuar alternativa më e mirë për kët post dhe sipas Metës, ky kandidat jep një mundësi që jo vetëm për bashkim për të fituar por edhe të bashkëqeverisur me qytetarët.
“Kujtim Hoxha i ka të gjitha kapacitetet për të justifikuar besimin e të gjithë neve. Jam i bindur se “Aleanca për Qytetarin” do të fitoj bindshëm në Bashkinë e Përmetit dhe jo vetëm kaq, por mbështetja që do të jepet kësaj bashkie jam i sigurt që do të investohet në mënyrën më të suksesshme në një shërbim më të mirë për të gjithë qytetin dhe banorët e tij dhe njëkohësisht jam i bindur se me Kujtimin do të arrijmë të ripërtërijmë më tej traditat më të mira që ka qyteti i Përmetit”, u shpreh kreu i LSI-së në prezantimin e këtij kandidati.
Ai kujtoi edhe njëherë ëndrrën e kthyer në realitet të shqiptarëve, atë të liberalizimit të vizave, duke shtuar se në të njëjtën formë do të kthehen në realitet të gjitha ëndrrat e shqiptarëve.
Sipas Metës vetëm rruga e integrimit do mund ta çojë vendin përpara sepse tha ai, rruga e izolimit, është rruga e kthimit në të kaluarën, nuk është rruga e ekstremizmit politik, është rruga e konfliktit me partnerët ndërkombëtarë.
Sakaq lideri i LSI-së shtoi se, “Vota juaj për Kujtim Hoxhën është një votë për të respektuar më shumë dhe për t’i shërbyer më mirë qytetarit përmetar. Vetëm duke votuar këtë koalicion shtoi ai, qyteti i Përmetit në pak vite do të shënoj një progres jashtëzakonisht të dukshëm”.
a.y/NOA