English

Patriotizmi si strehë e horrave

Nuk kontestohet fakti se patriotizmi në përgjithësi është një lloj strehe e horrave, por që nuk jetohet pa të. Të gjithë jemi dëshmitarë të abuzimit të skajshëm me këtë ndjenjë. Në rrethana të tilla mund të thuhet se të mos jesh patriot del që të jesh patriot i njëmendët.

Nga Bardh Frangu

Shkas për këtë shkrim u bë një vlerësim publik i Degës së LDK-së në Ferizaj, ku ndër faktorët e humbjes së kandidatëve të kësaj partie në zgjedhjet e fundit nacionale, përmendet edhe mungesa e patriotizmit lokal. Edhe pse kjo pandehmë duket si një konstruksion politik për të arsyetuar humbjen, megjithatë ia vlen të debatohet në këtë temë. Kjo edhe për faktin se një debat i tillë konsiderohet si i munguar në mjedisin tonë. Nëse Drenasi dhe Skenderaj, që bashkë bëjnë një numër të përafërt të votuesve me komunën e Ferizajt kanë nxjerrë 11 deputetë, ndërsa Ferizaj vetëm dy, kjo dëshmon se kemi të bëjmë me një patriotizëm lokal, refleksionet e të cilit domosdo që vërehen edhe në politikë, përkatësisht në forcën e pushtetit.

Patriotizmi lokal ka edhe karakteristikat e veta që e bëjnë atë të dallueshëm nga të tillët, sepse ndryshe edhe nuk do të quhej lokal. Për shembull Ferizaj, në nivel të Kosovës, është i vetmi vend që ka një grup njerëzish të cilët edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të ruajnë dhe kultivojnë kultin e diktatorit Enver Hoxha. Ata në këtë mënyrë duan ta ruajnë një traditë të bartur nga ilegaliteti. Madje këtë ndjenjë e shfaqin publikisht për hir të legalizimit të saj. Nuk ka dyshim se mbushja e kutive me vota, që doli të ishte më e theksuar në lokalitetet e Drenicës, drejtpërdrejt është e lidhur me këtë tip patriotizmi. Mbi këtë bazë edhe organet komunale të Kaçanikut kanë ndërmarrë veprime të ndryshme që bien ndesh me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Në emër të patriotizmit lokal këtu janë mbyllur lojërat e fatit, me motivin se u shkaktojnë dëm qytetarëve!

Po në fakt çka është patriotizmi lokal? Nëse shpesh ndodhë që patriotizmi dhe nacionalizmi të duken si sinonime, patriotizmi lokal megjithatë është diçka tjetër. Ky lloj patriotizmi burimin e ka në ruajtjen e vlerave të përbashkëta kulturore dhe morale të një bashkësie të ngushtë, e cila më shumë mbështetet në traditën e këtyre vlerave, siç janë doket dhe zakonet, ritet, etj, sesa në elementet tjera që ndërlidhen me nacionalizmin. Sigurisht që si i tillë ka anët e veta të mira dhe të këqija.

Patriotizmi lokal, ose ndjenja për të, bën që të zhvillohet një konkurrencë në kuadër të krijimit dhe promovimit të vlerave ndërmjet lokaliteteve. Në anën tjetër patriotizmi lokal mund të shfaqet edhe në rrafshin e luftës brenda llojit dhe me agresivitetin e tij shpesh te pakontrolluar të dëmtojë edhe vlerat e përbashkëta të një bashkësie më të gjerë. Këto janë çështje me të cilat përballen seriozisht edhe vendet me demokraci liberale, le më ky si i yni, i cili ende qëndron i lidhur me ndjenjën e fisit dhe si i tillë më shumë ka ngjyrime folklorike. Madje këtyre fenomeneve shoqërore u kushtohet një vëmendje shumë e madhe dhe ndikimi i tyre shpesh bëhet pjesë dominonte e debateve brenda rrjeteve të ndryshme sociale e më gjerë.

Po sjell këtu disa shembuj tipik se si shfaqet ky lloj patriotizmi tek ne. Tek përcillja një ndeshje futbolli në qytetin tim, një grup simpatizantësh nga lagja e stadiumit të futbollit shanin si në kor gjyqtarin anësor që lëvizte skaj tyre. Në pyetjen pse bënin një veprim të tillë pa shkas, ata si në kor përgjigjen duke thënë se kështu janë marrë vesh në mëhallë! Sigurisht që lokal-patriotizmi bëhet i dukshëm më shumë në ndeshjet sportive, ku psikologjia e turmave i nënshtrohet një testi shumë provokues, por që si i tillë reflektohet pa dyshim edhe në sferat tjera të jetës, pra edhe në politikë.

Në një rast tjetër tek përcillja një ndeshje basketbolli ndërmjet Prishtinës dhe Gjilanit, e cila zhvillohej në Ferizaj, më ra të dëgjoja edhe këtë refren të simpatizantëve nga Prishtina: “Na ua q... nanën shkijeve, por më shumë gillanlive!”. Kjo mbase më ndodhi ta përjetoja jo shumë kah pas mbarimit të luftës në Kosovë! Sigurisht që ashpërsinë dhe fëlliqësinë e patriotizmit lokal në këtë sferë më të dukshme më së miri do të mund ta dëshmonin gjyqtarët, të cilët edhe sot e kësaj dite rrihen si qen.

Një patriotizëm lokal e kemi të dukshëm edhe në bazë të hartës politike, përkatësisht relievit që bëjnë partitë. Fal patriotizmit lokal PDK-ja gëzon mbështetje në lokalitetet që përfshinë regjioni i Drenicës. AAK-ja gëzon mbështetje në regjionin e Dukagjinit, ndërsa LDK-ja në atë të Llapit. Në politikë patriotizmi lokal na paraqitet në trajtë bastionesh të partive, ku ndikimi i patriotëve lokal është shumë i madh. Secila parti ka bastionet e veta nëpër lokalitetet e caktuara, ku liderët lokal shfrytëzojnë në forma të ndryshme këtë ndjenjë të komunitetit, për të abuzuar pastaj me të nëpërmjet përdorimit të pushtetit për nevojat e veta dhe të grupeve të interesit.

Një shembull tipik për këtë paraqet lagjja Kodra e Trimave në Prishtinë. Ishim dëshmitarë të presionit që bënë njerëzit nga kjo lagje për largimin e Fatmir Sejdiut dhe për zëvendësimin e tij me Isa Mustafën. Kjo lagje ka ndërtuar një traditë të identifikimit me këtë parti. LDK-ja vlerësohet si pasuri lokale.

Më në fund nuk kontestohet fakti se patriotizmi në përgjithësi është një lloj strehe e horrave, por që nuk jetohet pa të. Të gjithë jemi dëshmitarë të abuzimit të skajshëm me këtë ndjenjë. Në këto rrethana mund të thuhet se të mos jesh patriot del që të jesh patriot i njëmendët. Po që të mund ta funksionalizojmë këtë ndjenjë më mirë dhe ta avancojmë si logjikë konstitucionale, së paku në rrafshin politik, del të jetë e domosdoshme ndërrimi i ligjit për zgjedhjet dhe ndërtimi i një sistemi zgjedhor me shumë zona dhe nën zona. Së paku në këtë rrafsh nuk do të mund të akuzonte askush askënd për mungesë patriotizmi lokal.

NOA

KOMENTE