“Në Shqipëri po i afrohemi një fushate elektorale. As që krahasohet me atë që ka ndodhur në Japoni. Çdo qasje, sado simbolike, do të ishte thjesht qesharake. E megjithatë, në distancën kozmike që i ndan këto dy evenimente, në specifikën e papërsëritshme që ka Cunami japonez, krahasuar me pazarin ballkanik shqiptar”...
Nga Skënder Minxhozi
Tërmeti dhe Cunami që goditi Japoninë në 11 mars, u shënua në listën e atyre fatkeqësive, që shfaqen mjaft rrallë para syve të botës. Për nga përmasat, tragjedia që shkaktoi dhe pasojat që ende ka lënë pas vetes, kjo ngjarje e dyfishtë, që ngjan me ato qeniet mitologjike me shumë koka, ka shumë gjasë të devijojë fatin e këtij brezi japonezësh, që ishin ç’mësuar me tmerre të tilla. Tragjedia më e rëndë e pas luftës së Dytë Botërore për Japoninë, siç është silësuar gjerësisht në ditët e fundit në media, vazhdo të jetë para syve të të gjithëve. Një dramë e madhe njerëzore, e cila po përjetohet nga banorët e këtij vendi të madh, në një mënyrë që është pak ta qush dinjitoze. “Pse nuk qajnë japonezët”, ose “Leksioni i një populli”, ja titujt që gjeje rëndom në faqet e para të gazetave më të mëdha perëndimore, pas 11 marsit. Njëra ndër habitë e mëdha të kësaj tragjedie, përtej dimensioneve të saj biblike, ka qenë forca njerëzore e banorëve të këtij vendi të madh. Ajo forcë që i ka bërë ata të mos pushtohen nga paniku edhe në momentet e tërmetit apo të dallgëve gjigande, të fiksuara nga mijëra filmime amatoriale.
Kjo qetësi e përjetimit të fatkeqësive i bën të ndryshëm japonezët nga të gjithë popujt e tjerë, sidomos europianët, e mbi të gjitha mesdhetarët, ku hyjmë edhe ne. shumëkush me mend ndoshta ia ka bërë vetes pyetjen se çdo të kishte ndodhur me ne, nëse do të na binte mbi krye një tragjedi e tillë. Këtë pyetje ia bënte një gazetar italian një eksperti tërmetesh, duke marrë përgjigjen “as që guxoj ta çoj nëpër mend”.
E megjithatë, bilanci i një drame të tillë është njëra anë, mënyra sesi përballet ajo është një anë tjetër. Këtu qëndron forca e vërtetë e atij populli që sot bredh nëpër grumbuj mbeturinash, që më parë ishin qytete e fshatra. E kujtojmë një imazh të ngjashëm me këtë, edhe nga kronikat e bombave të Hiroshimës e Nagasakit, e sërish na bie në sy vetëpërmbajtja ekstreme, qetësia surreale dhe disiplina prej ushtari e një populli që me siguri do ta kalojë shumë shpejt këtë goditje bishti të fatit.
Në Shqipëri po i afrohemi një fushate elektorale. As që krahasohet me atë që ka ndodhur në Japoni. Çdo qasje, sado simbolike, do të ishte thjesht qesharake. E megjithatë, në distancën kozmike që i ndan këto dy evenimente, në specifikën e papërsëritshme që ka Cunami japonez, krahasuar me pazarin ballkanik shqiptar, dy psikologjitë respektive të japonezëve të goditur nga një tragjedi homerike dhe shqiptarëve të lodhur nga një tufë karagjozësh që i qeverisin prej 20 vjetësh, janë paradoksalisht të krahasueshme për nga ngarkesa dhe përjetimi. Veçse edhe në këtë pikë, sërish shtetasit dinjitozë të tokës së samurajve, janë ku e ku më diskretë dhe të vetëfrenuar në hallin e madh që u ka rënë, sesa ne, mesdhetarët gjaknxehtë që marrim zjarr për hiçgjë. Ndoshta duhet të marrim pak shembull, nëse mundemi natyrisht, nga ajo që po shohim këto ditë. Të gjithë po e bëjnë, le ta bëjmë edhe ne, sepse kemi vërtet nevojë për shembuj të tillë, ku kurajoja njerëzore sfidon fatin.
NOA