Tiranë, 27 mars, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, në krye të delegacionit zyrtar shqiptar do të zhvilloje një vizite pune në Itali, ku do të pritet nga drejtuesit më të lartë të Universitetit të Bolonjës dhe do të takohet edhe me studente shqiptarë që studiojnë atje.
Në kuadër të kësaj vizite, Kreu i shtetit shqiptar do të mbajë një ligjëratë në auditorin “Aula Manja” te Universitetit te Bolonjës, lidhur me sfidat e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, rolin e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe rëndësinë që kane politikat bujqësore e rurale në rrugën e integrimit të vendeve të Ballkanit, e veçanërisht të Shqipërisë drejt Evropës.
Gjithashtu, Presidenti Topi do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Serave të Fakultetit të Agronomisë në Bolonja, si dhe do të vizitojë disa vende të rëndësishme të zhvillimit të agroturizmit italian, kryesisht të kultivimit të vreshtave, në Siena dhe në zonat rurale përreth saj.
a.k/NOA