Vlorë, 28 mars, NOA/ Nga Gëzim Llojdia - Do të zhvillohet në qytetin e Vlorës gjatë datave 14-17 maj, festivali i 3-të i “Aulona International Folk Festival”, organizator i të cilit është Qendra Kulturore “Aulona” në qytetin bregdetar.
Në edicionin e tij të dytë festivali u zhvillua në qytetin e Vlorës si dhe në rrethina të tij, si Novoselë, Nartë, Orikum, ku u treguan vlerat muzikore të grupeve të njohura nga vendet evropiane si Sllovakia, Polonia, Kroacia, Italia, Greqia, Bulgaria.
Në 121 festivale të zhvilluara gjatë vitit 2010, nën stemën e CIOFF, në total kanë marrë pjesë 820 grupe me 23319 pjesëmarrës.
Nga këto 9 grupe me 300 pjesëmarrës i takojnë festivalit “Aulona folk”.
Festivali në edicionin e tij të tretë ka si qëllim shërbimin e turizmit kulturor si dhe do të jetë një nisje e aktiviteteve në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë. Edicioni i 3 do të realizohet në sheshin e Flamurit si dhe do të nderohet themeluesi i shtetit shqiptar Ismail Qemali.
n.e/NOA