Gjirokastër 28 mars, NOA – Një qytetar nga Kosova është arrestuar në Gjirokastër, pasi është kapur me 1 kilogramë e 100 gramë lëndë narkotike mariuanë. Personi i arrestuar është Ardian Vitia, 23 vjeç, lindur dhe banues në Prishtinë Kosovë.
Ai është arrestuar dje rreth orës 18.30 nga Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Vitia ka qenë se bashku me 3 të rinj të tjerë në makinë tip “Volsvagen” duke dalë nga fshati Lazarat pasi kishin blerë drogën.
Pas sinjalizimin, forcat e policisë kanë bërë ndalimin e makinës dhe në pjesën e sipërme të kroskotit, nga ana e pasagjerit poshtë kapakut që shkruhet “Air bag, kanë gjetur lëndën narkotike.
Menjëherë automjeti së bashku me katër të rinjtë Kosovarë është shoqëruar në ambjentet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër ku kontrolli ka vijuar më imtësisht. Nga kontrolli i mëtejshëm rezultoi se në xhupin që mbante veshur Ardian Vitia u gjet dhe u sekuestrua edhe një qese plasmasi me lëndë narkotike.
Sipas policisë Vitia e kishte blerë lëndën narkotike në Lazarat për ta shitur në sasi të vogla më pas në Kosovë ne ambjente shkollore. Policia arrestoi Vitinë, ndërsa tre të rinjt e tjerë u lanë të lirë.
a.k/NOA