Tiranë, 28 mars 2011, NOA – Historiani dhe shkrimtari britanik Simon Jonathan Sebag-Montefiore, i cili ndodhet prej disa ditësh në Tiranë u nderua sot me titullin “Doctor Honoris Causa” nga rektorati i Universitetit të Tiranës. Ishte rektori i këtij universiteti Dhori Kule që i dorëzoi Montefiores titullin e lartë.
Historiani dhe shkrimtari anglez ka promovuar në Tiranë pesë librat e tij të botuar në gjuhën shqipe, ku më i fundit e më i njohuri është “Jeruzalem”, që cilësohet si një biografi, një histori e re mbi Lindjen e Mesme.
Gjatë fjalës së tij historiani anglez duke shprehur mirënjohjen theksoi se është i lumtur që ka mbërritur në Tiranë, duke theksuar se ky vend ka shkrimtarë të njohur.
Në këtë kontekst, Montefiore i referohet shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, për të cilin, tha se njihet shumë në Mbretërinë e Bashkuar.
Simon Jonathan Sebag-Montefiore njihet si një nga etërit e historisë moderne.
Disa nga librat e tij më të njohur janë “Stalini”, “Në oborrin e Carit të kuq”, “Jeruzalemi”, “Stalini i ri”, “Sashenka, Katerina e madhe dhe potemkini”, e mjaft të tjerë.
Ndërkohë disa nga romanet e tij janë realizuar edhe në kinematografi.
Simon Jonathan Sebag-Montefiore u lind në 27 qershor të 1965-ës në Londër.
Ai është nderuar me shumë çmime për romanet e librat e tij historikë.
Disa nga librat e Simon Jonathan Sebag-Montefiore janë bestseller në shumë vende të botës dhe të botuar në plot 33 gjuhë.
mit/NOA