English

Hoxhaj: Do bëjmë gjithçka për rezultate konkrete nga dialogu

Zagreb, 28 mars 2011, NOA – Kreu i diplomacisë kosovare Enver Hoxhaj u shpreh pozitiv për arritjen e rezultateve konkrete nga dialogu teknik i ndërmjetësuar nga BE, mes Kosovës e Serbisë. Pas takimit me homologun e tij kroat Gordan Jandrokoviç, ministri i Jashtëm i Kosovës deklaroi se “Kosova do të bëjë gjithçka që të jetë e mundur për arritjen e rezultateve konkrete e të prekshme nga bisedimet që po zhvillohen në Bruksel mes Beogradit e Prishtinës”.

“Askush nuk mund të jetë pjesë e Bashkimit Evropian nëse ka çështje të hapura me fqinjët”, theksoi shefi i diplomacisë kosovare.

Sipas tij kjo është arsyeja pse Kosova i qaset pozitivisht këtij dialogu.

Hoxhaj siguroi sakaq se çështja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës janë tërësisht të mbyllura.

Ndërkohë ministri i Jashtëm i Kroacisë Gordan Jandrokoviç duke shprehur mbështetjen për dialogun teknik mes Kosovës e Serbisë tha se është në të mirë të bashkëpunimit rajonal, paqes e prosperitetit që të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit të funksionojnë mbi bazën e parimeve të BE-së.

mit/NOA

KOMENTE