English

Kryesia e PS shtyn publikimin e kandidatëve, Rama: T’i hapim vendit një rrugë të re

Tiranë, 27 mars, NOA- Kryesia e Partisë Socialiste ka shtyrë sërish për nesër zyrtarizimin e kandidatëve për zgjedhjet vendore të 8 majit. E mbledhur pasditen e stome, për tre orë, anëtarët e kryesisë së PS-së kanë diskutuar për emrat që do të përfaqësojnë koalicionin e majtë. Kryetari i PS-së, Edi Rama tha në një konferencë për mediat, pas mbledhjes se është një proces i vështirë për shkak të numrit të madh të kandidatëve për çdo njësi vendore.

“Ne kemi marrë një numër vendimesh që do t’i shpallim nesër. Pasi më e rëndësishme se kush do jetë kandidati që do të përfaqësojë një komunë apo bashki është se përpjekja jonë duhet të shtrihet në një nivel të përbashkët. Kjo nuk është një betejë për 300 vetë apo më shumë, por është një betejë për të ndryshuar Shqipërinë, që të dalë nga rruga e grabitjeve dhe vrasjeve të njerëzve të pafajshme, betejë për të materializuar me 8 maj një përpjekje që njerëzit e këtij vendi duhet ti çojnë Saliut mesazhin: Kurrë më”, tha Rama.

Kreu i PS-së konfirmoi vetëm disa kandidatura duke theksuar se është vendosur që të rikandidohen kryetyarët e bashkive të mëdha në Durrës, Vangjush Dako, në Elbasan Qazim Sejdini, në Fieri Baftjar Zeqo, në Vlorë Shpëtim Gjika dhe në Korçë Niko Peleshi.

Gjithashtu Rama u shpreh se në Lezhë dhe në Lushnjë do të kandidojnë dy deputet, përkatësisht Gjok Jaku dhe Fatos Tushe. Kreu i PS-së ka shprehur keqardhje për largimin e PBDNJ-së nga koalicioni. Ndërsa ka theksuar se me Vangjel Dulen do të bëhet një marrëveshje e veçantë. Ai u ka bërë apel zgjedhësve të PS-së që të mbështesin emrat që do të vendos kryesia duke theksuar se qëllimi është i përbashkët për gjithë koalicionin.

“Pas kësaj përzgjedhjeje të fillojmë betejën tonë për Shqipërinë, për qytetin, komunën ta bëjmë këtë betejë së bashku, në çdo hapësirë ku ka vend dhe mundësi për ballafaqim, derë më derë duke hyrë në shtëpitë e zemrat e njerëzve për të ndarë me ta shqetësimet e përbashkëta. Shqipëria të ndërrojë rrugë, të dalë nga rruga qorre ku po e shtyn Saliu dhe oborri i tij për t’u marrë me aspiratat e shqiptarëve që nuk jetojnë në oborrin e Berishës”, tha Rama.

KOMENTE