Tiranë, 28 mars, NOA - Lëvizja “Zgjohu” ka reaguar sot ndaj deputeten socialiste Ermonela Felaj, pas akuzave publike të kësaj të fundit se ky organizëm joqeveritar përfitoka nga fondet qeveritare për aktivitetin e tij.
Drejtuesit e tij, kanë deklaruar se do ta padisin këtë deputete për shpifje dhe dëmtim të imazhit të Lëvizjes “Zgjohu”, duke mos pranuar aspak akuzat se kjo financohet nga paratë e qeverisë për të sulmuar Bashkinë e Tiranës
“Ne jemi të hapur për këdo duke i bërë me dije edhe publikut që ndryshe nga shoqatat e mbështetësve të kaosit të Ramës, ne i paguajmë taksat shtetit deri në qindarkën e fundit, ndryshe nga Bashkia Tiranë e cila vazhdon të bunkerizojë çdo lloj informacioni dhe transparencë se çfarë bën me taksat dhe tarifat”, tha lidhur me një fakt të tillë, kryetari i Lëvizjes Zgjohu, Zirkon Disha.
n.e/NOA