Bruksel, 28 mars, NOA - NATO i ka dhënë fund grindjes për misionin ushtarak në Libi dhe ka rënë dakord për marrjen e plotë të komandos. Këtë e bëri të ditur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen pas një takimi të ambasadorëve të 28 vendeve anëtare në Bruksel.
"Aleatët në NATO kanë vendosur të marrin përgjegjësinë për të gjithë operacionin ushtarak në Libi të bazuar në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi ynë është të mbrojmë civilët dhe zonat me popullsi civile nga kërcënimet e sulmeve të regjimit të Gaddafit."
Me këtë hap NATO do të ndërmarrë sulmet ajrore në mbrojtje të popullsisë civile. Përfaqësues nga NATO deklaruan se marrja e komandos mund të zgjasë disa ditë. Deri më tani sulmet e koalicionit ndërkombëtar prej 11 shtetesh ishin drejtuar nga SHBA, Franca dhe Britania e Madhe. Ndërkohë që kundërshtarët e Gaddafit rimorën portin strategjik të naftës, Ras Lanuf, dhe kanë përparuar 12 kilometra në drejtim të qytetit tjetër Ben Xhavad. Trupat e Gaddafit janë tërhequr në drejtim të rajonit Sirte, qyteti i lindjes së pushtetmbajtësit. Nga Sirte dhe kryeqyteti Tripoli janë njoftuar sulme të forta nga ajri dhe shpërthime të mëdha.
NOA/DV