English

Papailia: Dule skualifikon kandidatin zyrtar të Omonias, i diktuar nga Rama

Gjirokastër, 28 mars 2011, NOA – Kandidati zyrtar i Omonias për komunën Dropulli i Sipërm në zgjedhjet vendore të 8 majit, Ilia Papailia ka reaguar ashpër ndaj skualifikimit që i ka bërë kandidaturës së tij kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule. Papailia bën me dije se kreu i PBDNJ-së e ka skualifikuar kandidaturën e Ilia Papailias, duke regjistruar në vend të tij Kristo Ducin, i cili ishte rivali i Papailias në votimin brenda radhëve të Omonias, i kryer dhjetë ditë më parë.

Inxhinieri Papailia anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Omonias dhe prej shumë thekson se ai është skualifikuar për shkak të pazareve momentalë të kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Sipas tij kandidati i përzgjedhur nga Dule është një person i pakualifikuar.

Kristo Duci është kryetar aktual i shoqatës “Agios Kosmas” në Athinë, është me shkollë të mesme dhe nuk është zgjedhur asnjëherë në organet drejtuese të Omonias.

Ai rikandidoi në zgjedhjet vendore të vitit 2003-it si kandidat i Omonias dhe rezultoi humbës.

Kandidaturat për zonat e Gjirokastrës, Sarandës dhe Delvinës në bazë të statutit të Omonias dalin me votim të fshehtë nga KPD-ja e kësaj organizate dhe regjistrohen automatikisht nga PBDNJ si kandidatë zyrtarë të saj.

Papailia thotë se ky rregull ka funksionuar pa asnjë shmangie deri më sot, porse sipas tij përjashtimi ndodhi në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 kur kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, injoroi vendimin e Omonias për të dalë të vetëm në zgjedhje dhe regjistroi emrin e vet të parin në të gjitha qarqet elektorale ku dhe firmosi koalicionin me Partinë Socialiste.

“Kjo lëvizje e Vangjel Dules në 2009-ën e çoi Omonian në përçarjen më të madhe të jetës së saj. Pjesa dërrmuese e anëtarëve të KPD-së, midis të cilëve Spiro Ksera, Kosta Barka, Thoma Miço, Mihal Naço, Fredo Berberi, Kristaq Kali, Mihal Kallojeri etj., nuk iu bindën vendimeve arbitrare të Vangjel Dules, gjë që çoi në rrudhjen elektorale të PBDNJ-së. Lëvizja e tanishme e Dules është e inkuadruar në marrëveshjen e fshehtë që ka bërë me Edi Ramën, i cili nuk garon me kandidatë të vet në zonat e Minoritetit, por i dikton Dules deshirat dhe preferencat e veta për emra kandidatësh dhe për mbështetje selektive”, akuzoi kandidati i Omonias Papailia.

Ai thekson se kjo është një goditje të dytë që Vangjel Dule i jep Omonias, të cilën sikundër thotë ai, Dule po e keqpërdor për interesat e veta.

Papailia nënvizon se kreu i PBDNJ-së nuk reagoi as për denigrimin që i bën Kryetarit të Omonias Vasil Bollano, shefi i opozitës Edi Rama, duke deklaruar se “kryetari i Omonias, i rizgjedhur vetëm para një muaji, qenka i padenjë për t’u mbështetur si kandidat i përbashkët”.

I zgjedhuri i Omonias, Ilia Papailia sqaron se “diktimi i një kandidaturë tjetër në Dropullin e Sipërm, në vend të kandidaturës zyrtare të Omonias nxjerr zbuluar Vangjel Dulen para elektoratit të minoritetit etnik grek në Shqipëri MEG duke nxjerrë në pah lojën dredharake të Edi Ramës, të cilin Vangjel Dule e sheh si garantin e mbijetesës së vet politike”.

Përfaqësues të Omonias në fshatin Dropull mendojnë se lëvizjet e kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule nuk nëpërkëmbin vetëm autoritetin e Omonias, por e çojnë atë në një humbje të sigurt përballë kandidatëve seriozë të rivalit të saj endogjen, të partisë MEGA.

mit/NOA

KOMENTE