Nga Bamir Topi* Është kënaqësi e dyfishtë të jem sot i pranishëm në këtë auditor të nderuar të një prej universiteteve më të vjetra dhe më të njohura në Itali e më gjerë. Si President i Shqipërisë ndodhem në një vend miqësor dhe partner të rëndësishëm politik dhe ekonomik të vendit tim. Italia është porta e parë e Shqipërisë në Evropën Perëndimore, një popull mik dhe një vend mik, mbështetës aktiv i proceseve demokratike dhe integruese të Shqipërisë në strukturat euroatlantike. Si profesor me një karrierë të gjatë universitare, kam kënaqësinë të flas përpara kolegëve të nderuar dhe studentëve për një temë aktuale dhe me interes reciprok. Fakti se Italia dhe universitetet e saj janë institucionet më të preferuara të të rinjëve shqiptarë e bën këtë prezencë më natyrale. Aktualisht ne kemi mbi 35 mijë të rinj që studiojnë në Itali, kemi qindra specializantë dhe disa dhjetëra projekte të përbashkëta bashkëpunimi midis universiteteve dhe njësive të tjera kërkimore e shkencore. Ky bilanc mbështetjeje dhe ndryshimi rrënjësor në marrëdhëniet midis vendeve tona, por në një kontekst më të gjerë, midis vendit tim dhe familjes evropiane simbolizon një realitet të ri në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe BE-së, midis rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës së Bashkuar. 20 vjet më parë qytetarët e vendit tim mbushën sheshet në protesta antikomuniste me slloganin për një Shqipërisë si e gjithë Evropa. Projekti evropian nuk ishte një zgjidhje politike e momentit, por një aspiratë historike, pa opozitë dhe pa alternativë tjetër. 20 vjet më pas, ne kemi tashmë një bilanc arritjesh në jetësimin e këtij projekti. Shqipëria është tashmë anëtare në NATO, bën pjesë aktive në institucionet e përbashkëta evropiane si Këshilli i Evropës, OSBE, nisma rajonale apo projekte zhvillimi, si dhe është në pritje të marrjes së statutit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për qytetarët e lindur dhe të rritur në shoqëritë evropiane arritje të tilla mund të lexohen si standarde normale në kushtet e zgjerimit evropian dhe ndryshimeve pozitive pas Luftës së Ftohtë. Por për një qytetar shqiptar të lindur në izolimin ekstrem komunist lindor, i cili me dhunë ndaloi lidhjet politike, ekonomike dhe kulturore me shtetet perëndimore dhe strukturat euro-atlantike, këto arritje përbëjnë një zhvillim historik, një ringritje e madhe morale, një rilindje e atyre vlerave dhe parimeve që ideologjia staliniste i ndaloi dhe i persekutoi. 20 vjet më parë ne ishim një popull i varfër, i shtypur, i panjohur sa duhet dhe i gatshëm të sakrifikojë jetën në përpjekje për të ardhur në Itali e vende të tjera përmes anijeve biblike. Sot pas dy dekadash, me ndihmen direkte edhe të vendeve mike si Italia, qytetarët shqiptarë e filluan vitin 2011 me lëvizjen e lirë, si qytetarë të barabartë, në shumicën e shteteve perëndimore. Janë dy ngjarje simbolike me domethënie të madhe, tregues të kontrastit të thellë, midis trashëgimisë së epokës së Luftës së Ftohtë dhe aktualitetit demokratik dhe evropian në Shqipëri. Brenda këtyre viteve ne kemi krijuar e ndërtuar gjithçka nga e para: kushtetutën, ligjet, rregullat, institucionet politike e ligjore, administratën civile, sistemin e ri arsimor e shëndetësor, sistemin e mbrojtjes sociale dhe kujdesit për qytetarët, sistemin e infrastrukturës dhe të komunikimit, sistemin e mbrojtjes dhe të përfaqësimit politik midis nesh dhe në raport me shtetet e tjera. Pra, brenda dy dekadash Shqipëria ka arritur të përmbushë standardet kryesore të funksionimit të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës, të krijojë një sistem të demokracisë funksionale dhe të konkurrencës së lirë të tregut, - tregues të konfirmuar me pranimin në NATO dhe partneritetin aktiv në drejtim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ne jemi të vetdijshëm se nevojat dhe sfidat tona janë ende të mëdha, disa gjëra duhet t’i kishim bërë më mirë dhe më shpejt, energjitë tona pozitive mund t’i kishim përdorur më mirë në funksion të reformave, por jemi po ashtu të vetdijshëm për rrugën e gjatë që duhet të përshkruajmë për ta bërë këtë realitet të ri evropian sa më të prekshëm për qytetarët, sa më të qëndrueshëm e funksional, në ato standarde e nivele të cilat kanë arritur shtetet përbërëse të Bashkimit Evropian. Projekti ynë është evropian nuk është i izoluar dhe nuk shihet si raport dypalësh midis Shqipërisë dhe BE-së, por edhe më gjërë, si raport kontributesh dhe vizioni përfshirës. Rajoni ku jetojmë ka specifika të veçantë, të cilat ndikojnë dhe përcaktojnë prioritetet tona të pandryshueshme euro-atlantike në politikën evropiane. • Në leximin politik Shqipëria e konsideron veten pjesë historike të Evropës, pjesë e familjes së saj, traditës, trashëgimisë, vlerave dhe projekteve të saj. Ndarja u imponua për motive ideologjike, por bashkimi është zhvillim i natyrshëm i rikthimit në familje. Kjo është arsyeja që Shqipëria është ndër vendet e vetme në rajon ku projekti evropian nuk ka opozitë, nuk ka alternativë dhe as dilemë. • Në leximin gjeografik ne jemi pjesë e Evropës. Brigjet italiane janë vetëm disa orë pranë nesh, prania evropiane në zhvillimet e brendshme, përfshirë edhe në investimet e huaja dhe publike është dominuese dhe e natyrshme. • Në aspektin etnik dhe kulturor shqiptarët përfaqësojnë popullin më proevropian dhe proatlantik në rajon. Ky raport nuk ka ndryshuar as pas 20 vitesh tranzicion, përkundrazi. Rëndësia e këtij fakti është e madhe sidomos nëse e lexojmë atë me specifika të tjera etnike dhe përfaqësuese në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi ndër shtetet e vetme në Evropë dhe në botë që kufizohemi me shtete, në të cilat çdo zonë kufitare banohet nga vetë banorë shqiptarë. Prej tre vitesh kemi një shtet të ri në rajon me shumicë absolute shqiptare, Kosovën; siç kemi Maqedoninë, - një shtet ndëretnik me popullsi shqiptare solide dhe bashkëdrejtuese; ashtu siç kemi një komunitet solid shqiptar në Malin e Zi, në Serbinë Jugore, etj. Kjo specifikë e veçantë e raportit njerëzor midis shqiptarëve dhe etnive të tjera në Ballkanin Perëndimor, e bën rolin e shtetit shqiptar shumë më të nevojshëm dhe të rëndësishëm për vetë paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Ndryshe nga modelet e luftrave nacionaliste ballkanike apo konfliktet e tjera me bazë etnike, Shqipëria dhe shqiptarët nuk e përdorën këtë potencial prezence dhe kushtëzimi rajonal për axhendë të veçuar personale, përkundrazi. Shqipëria e ka lexuar si duhet përgjegjësinë dhe rolin e vet në të ardhmen e rajonit, dhe me bindje të plotë, ka bërë e vijon të bëjë të gjitha përpjekjet e duhura për ta përdorur influencën e saj pozitivisht në dobi të zgjerimit dhe forcimit të marrëdhënieve rajonale shumëplanëshe në rajon. Ne kemi marrëdhënie solide bashkëpunimi me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Serbinë; bëjmë pjesë aktive në çdo nismë rajonale, kemi incuar projekte të përbashkëta politike dhe ekonomike, dhe kemi një vizion të qartë e vullnetin e duhur politik për të vijuar të kontribuojmë edhe më shumë në forcimin e këtyre raporteve. Në dallim nga ndonjë vend tjetër rajonal, i cili ende shfaq ose ruan paragjykime apo pengesa në integrimin e plotë të rajonit tonë në BE, Shqipëria nuk ka asnjë konflikt politik me asnjë shtet rajonal dhe se përpiqet që përmes bashkëpunimit aktiv politik të kalohet në një etapë të re raportesh ndër-rajonale; - bashkëpunimit aktiv ekonomik, social dhe kulturor. Dhe natyrshëm, si Kryetar i Shtetit shqiptar ndihem krenar me njohjen dhe vlerësimin e lartë që Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe shtetet kryesore perëndimore, përfshirë Italinë, i kanë bërë dhe i bëjnë vazhdimisht këtij kontributi themelor të vendit tim në forcimin e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe klimës së besimit në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne besojmë se të gjitha ekonomitë tona kanë nevojë për mbështetje reciproke përmes hapësirave për treg të lirë konkurrues, lëvizjes së lirë të mallrave dhe ideve, njohjes më të mirë dhe shkëmbimeve në fushën e shkencës dhe teknologjisë, si dhe krijimin e një rrjeti efektiv infrastrukturor midis të gjitha vendeve rajonale. Projekte infrastrukturore si “Korridori 8“ që lidhin të gjithë rajonin tonë me Italinë, projekti gazsjellës “Armo“ dhe projekte të tjera në fushën e turizmit, infrastrukturës, energjisë dhe teknologjisë, janë e mbeten prioritare për ne. Pjesë e rëndësishme e shkëmbimeve janë edhe ato që lidhen me fushën e arsimit dhe të bujqësisë. Çdo universitet shqiptar ka krijuar lidhje dhe marrëdhënie bashkëpunimi me universitete të vendeve fqinje, kemi rritje të shkëmbimeve akademike, të lëvizjes së studentëve dhe të praktikave të specializimit në rrjetet rajonale universitare, siç edhe kemi një bilanc pozitiv shkëmbimesh në fushën e bujqësisë, tregtimit të lirë të produkteve, nxitjen e investimeve të huaja dhe partneritetit rajonal në projekte bujqësore, shkëmbime të eksperiencave dhe një sërë projektesh të përbashkëta për promovimin e prodhimit apo binjakëzimit midis zonave të ndryshme rurale rajonale. Natyrisht që bilanci rajonal, por edhe i vetë ekonomisë shqiptare do të ishte shumë më pozitiv nëse kjo etapë bashkëpunimi të kishte nisur herët dhe pa pengesa, si dhe nëse ne të kishim qenë të aftë të shmangnim disa gabime apo politika që burojnë nga mungesa e përvojës apo nga ndikimet negative rajonale e globale. Ju e dini se në Ballkan gjatë dy dekadave të fundit u zhvilluan katër luftra nacionaliste, të cilat bashkë me humbjen e jetëve të pafajshme, sollën edhe një kosto të madhe për ekonomitë rajonale. Pjesë e pengesës u bënë edhe vonesa të caktuara në vendimmarrjen politike për zhvillimin ekonomik rajonal. Për shembull, shteti i ri i Kosovës ende nuk është njohur nga një vend fqinj i saj, vetë Kosova fatkeqësisht, nuk u përfshi në procesin e liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian, si dhe zhvillime të tjera që shoqëruan konfliktet etnike apo diplomatike midis disa vendeve të tjera në rajon, patën gjithashtu ndikime negative për nivelet e bashkëpunimit ekonomik dhe sidomos, produktivitetin e tij. Së fundi, edhe kriza globale ekonomike ka bërë efektin e vet në ekonomitë tona. Në Shqipëria efektet nuk janë shfaqur përcaktuese, por ne kemi vende rajonale me një nivel papunësie 40-50%, gjë që ndikon në reaksionin zinxhir të nivelit të shkëmbimeve dhe progresin ekonomik edhe në pjesët e tjera të rajonit. Universiteti i Bolonjës dhe veçanërisht grupi kërkimor i drejtuar nga Profesor Andrea Segre ka qenë mjaft aktiv në zonën e Ballkanit si nga pikëpamja e kurseve të specializuara në analizën e sistemeve bujqësore dhe politikave të zhvillimit të qëndrueshëm ashtu edhe në projekte studimore dhe zhvillimore. Në këtë kontekst, vlen të përmenden workshop-et, kurset master dhe shkollat verore të organizuara nga UNIADRION, një rrjet që lidh 29 universitete të basenit të Adriatikut dhe Jonit apo studimet e ndërmarra nga ana e “Centro per l’Europa Centro-Orientale e Balcanica”, të dyja këto të krijuara me iniciativën dhe mbështetjen e Universitetit të Bolonjës, në aktivitetet e të cilave kanë marrë pjesë mjaft studentë shqiptarë. Këtu dëshiroj të veçoj edhe Shkollën e Doktoraturës në ‘Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Politikat e Zhvillimit të Qëndrueshëm’, pranë “UniBO” të koordinuar nga Profesor Segre, në të cilën çdo vit ka patur një raport të balancuar ndërmjet studentëve italianë dhe atyre nga Ballkani. Jam informuar se në këtë Shkollë Doktorature kanë mbrojtur titullin 3 doktorantë, të cilët vazhdojnë të angazhohen si lektorë në kurset master, shkollat verore dhe projektet e “UniBO-së”. Të gjithë këto aktivitete kanë krijuar një rrjet të rëndësishëm kërkuesish shkencorë në rajonin e Ballkanit duke kontribuar në formimin e atyre politikë-bërësve të rinj që do të hartojnë politikën bujqësore dhe rurale në rrugën e integrimit të vendeve të Ballkanit, e posaçërisht Shqipërisë drejt Evropës.
* Fjala e presidentit Topi në Universitetin e Bolonjës