Tiranë, 28 mars 2011, NOA – Kur mbeten më pak se dy javë nga nisja e fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit shefi i Delegacionit të Bashkimit Europian dhe ambasadori i OSBE-së janë takuar me Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. Këto takime të veçanta të kreut të delegacionit të BE-së, Ettore Sequi dhe atij të OSBE-së Eugen Wollfarth me liderin e opozitës zhvillohen pikërisht në momentet kur shefi i opozitës pritet të deklarojë zyrtarisht listën me emrat e kandidatëve të opozitës për bashkitë e komunat e mbarë vendit, një listë që duhet të dorëzohet deri në mesnatën e sotme pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Takimi me shefin e delegacionit të BE-së Ettore Sequi mbaroi pak minuta më parë në mjediset e selisë rozë.
Më herët kryesocialisti Rama, i cili është edhe kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, që garon për të katërtin mandate në kryeqytet, ishte takuar edhe me ambasadorin e OSBE-së Eugen Wollfarth.
Selia rozë ka lajmëruar se në orën 13.00 do të mblidhet edhe Kryesia e Partisë Socialiste, që do të miratojë listën e plotë të kandidatëve që do të garojnë nën koalicionin e majtë “Aleanca për të ardhmen”.
Ndërkohë që Partia Demokratike e zyrtarizoi dje listën e kandidatëve të saj që do të garojnë nën siglën e koalicionit “Aleanca për qytetarin”.
mit/NOA