“Ne duam diçka krejt tjetër, duam të krijojmë një hapësirë të plotë e njëkohësisht duam të bashkëpunojmë për Shqipërinë evropiane. Për Shqipërinë e të gjithë qytetarëve që jetojnë në të pavarësisht prejardhjes së tyre, pavarësisht krahinës së tyre, pavarësisht përkatësisë së tyre politike. Sepse kjo Shqipëri nuk është as e PS e as e PD. Kjo Shqipëri nuk është as blu e as rozë. Kjo është Shqipëria e të gjithë shqiptarëve, është Shqipëria e flamurit të Skënderbeut, e flamurit të Ismail Qemalit, e flamurit të heronjve të luftës së sytë botërore, e flamurit të atyre që u martirizuan në kohën e diktaturës komuniste thjesht dhe vetëm sepse ishin ndryshe dhe e flamujve të atyre që dolën komunizmit dhe kërkuan Shqipërinë si gjithë europa në vitin 1990”
Nga Edi Rama*
Mirëmbrëma të gjithëve, është një komunikim në një orë të pazakontë sepse ka qenë një ditë e pazakontë, në një kohë të pazakontë si koha që po kalojmë. Kemi patur mbledhjen e kryesisë së PS për të diskutuar dhe vendosur lidhur me kandidaturat e partisë sonë si dhe lidhur me kandidaturat e përbashkëta të koalicionit “ Aleanca për të Ardhmen”. Kemi pasur vështirësi për shkak se në një numër të konsiderueshëm njësish vendore kemi më shumë se një kandidat që përfaqëson ashtu siç dëshirojmë interesat, pëlqyeshmërinë dhe kërkesat e komunitetit dhe të koalicionit. Kemi zona të tëra në të cilat është realisht një zgjedhje e vështirë mes kandidatësh, burra e gra që i ofrojnë PS, i ofrojnë koalicionit të Aleancës për të Ardhme eksperiencën e tyre, cilësitë e tyre si dhe ambiciet e tyre. Në ndërkohë ne kemi detyrimin që të bëjmë zgjedhjen duke zgjedhur vetëm një.
Dua ta shfrytëzoj këtë komunikim për tjua përcjell të gjithë atyre që janë angazhuar në këtë proces, të gjithë atyre që jo vetëm kanë manifestuar ambicien e tyre për të kandiduar në emër të PS apo të Aleancës për të Ardhmen, por edhe të gjithë atyre që i mbështesin. Duke u thënë se tek e fundit përzgjedhja bie vetëm mbi një kandidat dhe të gjithë së bashku duhet të mbështesim një kandidat. Sigurisht që midis kandidatëve ka nga ata që kanë avantazhet e tyre, ka të tjerë që kanë avantazhe të tjera, secili përfaqëson sigurisht diçka për tu vlerësuar, për tu konsideruar, për tu respektuar. Por nga ana tjetër është shumë e rëndësishme të kuptohet nga të gjithë, nga socialistët, nga progresistët, nga mbështetësit e kësaj aleance që është përtej të majtës dhe të djathtës, që bashkon në një front njerëzit që kërkojnë të largojnë regjimin e kusarisë dhe të përshpejtojnë procesin e ndryshimit në Shqipëri duke afruar zgjedhjet e reja, se duhet pas kësaj përzgjedhje të fillojmë betejën tonë për Shqipërinë, për qytetin, për komunën dhe ta bëjmë këtë betejë të gjithë së bashku. Ta bëjmë këtë betejë në çdo hapësirë ku ka vend dhe mundësi për ballafaqim. Ta bëjmë këtë betejë derë më derë duke hyrë jo thjesht në shtëpitë por në zemrat dhe në mendjet e njerëzve për të ndarë me ta jo vetëm shqetësimet e përbashkëta por dhe domosdoshmërinë që Shqipëria të ndërroj rrugë, të dal nga rruga qorre ku po e shtyn përditë Saliu dhe oborri i tij dhe të rimarr rrugën drejt aspiratave të shqiptarëve e shqiptareve që nuk jetojnë në këtë oborr.
Ne sigurisht kemi marrë një numër të konsiderueshëm vendimesh, të gjitha këto do ti shpallim në mënyrë të plotë nesër. Por në anën tjetër më e rëndësishme sesa kush do të jetë kandidati që do të përfaqësojë komunitetin, është si-ja e gjithë kësaj përpjekjeje që duhet të shtrihet në një nivel tërësor përfaqësimi dhe bashkëpunimi me çdo komunitet dhe me Shqipërinë. Me këtë dua të them se kjo nuk është një betejë për 360 persona. Kjo nuk është një betejë për atë që do të ulet në detyrën e kryetarit të bashkisë apo të komunës, në karrigen e drejtuesit të bashkisë apo komunës. Kjo është një betejë për të ndryshuar rrënjësisht një gjendje që bëhet përditë e më e padurueshme. Kjo është një betejë që bëhet për tu ndar nga rruga e vjetër, nga rruga e shpifjeve, nga rruga e fyerjeve, nga rruga e gënjeshtrave, nga rruga e grabitjeve dhe e vrasjeve të njerëzve të pafajshëm. Kjo është një betejë për të materializuar në 8 maj një përpjekje nga e cila populli opozitar, njerëzisht e zakonshëm të këtij vendi duhet të çojnë një mesazh për Saliun, Kurrë më! E në këtë betejë askush, asnjë qytetarë e qytetare e këtij vendi që aspiron një Shqipëri ku të ketë më shumë liri, ku të ketë më shumë punë, ku te ketë më shumë shpresë nuk duhet të humbasë asnjë minutë duke gjykuar apo keq gjykuar cilën do nga përzgjedhjet që ne do të bëjmë mes kandidaturash që përfaqësojnë, secila një mundësi për komunitetin. Sepse kjo është koha për të qenë të gjithë bashkë për ti hapur vendit një rrugë të re dhe e vetmja rrugë është rruga jonë. E vetmja rrugë është rruga që kemi zgjedhur. E vetmja rrugë për të pasur në Shqipëri demokraci dhe jo një liri të shthurur për të grabitur, një liri të shthurur për të shpifur, një liri të shthurur deri për të vrarë njerëz të pafajshëm. Një liri të shthurur për tu hyrë në hak njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, për ti hyrë në hak në çdo derë gjykate. Për ti hyrë në hak në çdo përpjekje për të marrë punën që u takon. Për tu hyrë në hak në çdo përpjekje për të konkurruar lirisht e ndershmërisht në një treg që është marrë peng. E të gjitha këto kanë një gjë themelore të përbashkët me betejën për çështjet e vogla por pa aq të rëndësishme të çdo komuniteti. Nuk mund të ketë në Shqipëri asgjë më të mirë për askënd që më parë nuk do të garantojë me përpjekjen e tij bashkë me të tjerët, ndarjen nga ky regjim, largimin e këtij regjimi, kthimin e Shqipërisë në një hapësirë bashkëjetese alternativash dhe fundin e një politike kaq të vjetër, kaq të pashpirt, kaq të pabesë, kaq grabitqare, kaq gënjeshtare, kaq vrastare.
Më konkretisht dua të them se sigurisht jemi në procesin e rikonfirmimit të një numri të konsiderueshëm të përfaqësuesve vendorë të PS dhe të opozitës. Ky është një proces i cili arsyeshëm na çon drejt mbështetjes së atyre që e kanë përfaqësuar komunitetin denjësisht dhe në ndërkohë janë përballur me egërsinë dhe dyfytyrësinë e këtij regjimi. Nga njëra anë ka propaganduar pa reshtur gënjeshtra të panumërta për gjoja decentralizimin, për gjoja krijimin e mundësive të reja e mbështetjes së madhe ndaj qeverive vendore por nga ana tjetër ka bërë krejtësisht të kundërtën. Ka plotë shembuj, mjafton shembulli i Durrësit, ku një projekt i shkëlqyer i lindur nga një konkurs ndërkombëtarë, për të transformuar qëndrën e Durrësit duke harmonizuar traditën me vizionin për të ardhmen është marrë peng. Është marrë peng me dhunë, është marrë peng me policë, është marrë peng me xhandarë, është marrë peng me shërbëtorë të pushtetit që nuk do tu japë qytetarëve të Durrësit mundësinë që ta shohin të përfunduar projektin, të cilin e kanë paguar ata me taksat e tyre. Kanë mbetur pa u shtruar pllakat e fundit, e pikërisht hijeshia e projektit. Ka bërë që politika e vjetër dhe e pabesë e Saliut dhe e regjimit të tij të reagojë me të njëjtin brutalitet dhe me të njëjtën dinakëri si në tërë këto vite. Të bllokojë, të pengojë, të marrë peng. Pse? Për të mos jua dhënë qytetarëve të Durrësit mundësinë që ta shohin të përfunduar gjënë që ju takon, projektin që ju takon, realitetin që ju takon në atë qendër dhe si në atë qendër dhe në plotë pika e zona të tjera të atij qyteti. Ndërkohë që ne do ta rikonfirmojmë kryetarin e bashkisë si një njeri që ka bërë gjithçka ka mundur dhe ka çuar përpara një punë të nisur mirë në Durrës, duke krijuar hapësira të reja për komunitetin dhe duke i dhënë një frymëmarrje të re brenda mundësive shumë të ngushtuara qëllimisht, urtësisht, forcërisht nga qeveria që quhet e Republikës së Shqipërisë, por që është vetëm regjimi i kusarisë. Nga Saliu që ju qan hallin qytetarëve, por ndërkohë minon prej kohësh ku të mundet, sa të mundet, si të mundet çdo kryeqytetarë që është në shërbim të qytetit por nuk është në shërbim të tij.
Korça rast më flagrant, rast më ulëritës të banditizmi të këtij regjimi ndaj qeverisjes vendore të opozitës nuk mund të ketë, sesa rasti domethënës i grabitjes së pemëve të sapo mbjella gjatë natës, nga policët dhe dhunuesit e Saliut. Për të mos lejuar që projekti i kryetarit të bashkisë të avancojë dhe që qytetarët të marrin frytet e investimit të tyre. Frytet e parave që i paguajnë bashkisë, e mbështetjes që i japin bashkisë dhe njëkohësisht frytet e durimit për të arritur çdo ditë një hap tjetër plot vështirësi e sakrifica në ndërkohë. Sigurisht ne do ta rikonfirmojmë kryetarin e bashkisë së Korçës si nj nga figurat më të spikatura të politikës vendore të PS dhe të kësaj opozite dhe si një nga shembujt ku ne mbështesim të gjitha arsyet tona pse në 8 maj qytetarët duhet të derdhen drejt kutive të votimit, e duhet jo vetëm të votojnë kandidatët dhe aleancën për të ardhmen por njëkohësisht ti çojnë Saliut mesazhin: Kurrë më!
Elbasani, janë të dukshme, janë të prekshme, janë të padiskutueshme transformimet që i ka sjellë kryetari i Bashkisë së Elbasanit qytetit të tij. Katër vjet më parë kur ai u zgjodh kryetar i bashkisë shëtitorja e Elbasanit ishte një shteg palidhje, një rrugë qorre. Sot është një shëtitore evropiane, ashtu sikundër ka marrë një hijeshi dhe një dritë evropiane edhe mënyra sesi është integruar me gjithë zonën historike në krah. E pra ne do ta rikonfirmojmë kryetarin e bashkisë së Elbasanit.
E po kështu do të rikonfirmojmë dy kryetar të tjerë bashkisë që vazhdojnë të çojnë përpara punën edhe ata me shumë vështirësi edhe ata me shumë probleme edhe ata me shumë mangësi për shkak të pengmarrjes së Saliut. Saliu i ka marrë peng edhe Vlorën edhe Fierin, por nuk ka mundur të ndalë as punën e kryetarit të bashkisë së Vlorës dhe as punën e kryetarit të bashkisë së Fierit. E nuk do mund ti ndalë asgjëkund kandidatët tanë, kryetarët tanë të bashkive dhe komunave sepse ajo që ndodhi me postimin e Ilirit nga koalicionit Bashkimit për të Ardhmen, në prehrin e Saliut dhe të koalicionit të turpit, nuk ka më gjasë të ndodhë. Bllokimi skandaloz, bllokimi i ulët dhe tërësisht primitiv pa lidhje me europën ku ne jetojmë, pa lidhje me kohën ku ne jetojmë i këshillave të bashkive dhe komunave me votat e marra nga socialistët dhe progresistët nuk mund të ndodhë më, sepse do ti fitojmë këshillat e komunave dhe bashkive dhe do ti japim nëpërmjet këtyre këshillave dhe komunave mundësinë bashkiakëve dhe kryekomunarëve që ti çojnë përpara projektet pa u ndalur. Sepse nuk është në fakt thjesht dhe vetëm Saliu që ka ndalur, ka penguar, ka ulur ritmin e lartë të zhvillimit të qyteteve tona por është ky bashkim, është ky koalicion i turpit, është ky pazar i madh të cilin ne e kishim paralajmëruar. I cili u materializua me realizimin e asaj që u quajt qeveria e integrimit, pas vjedhjes së votave që nuk mund të na ndal më dhe që nuk ka lejuar që gjërat të shkojnë tërësisht ashtu siç duhet. E pra në këtë vazhdë ne njëkohësisht kemi ftuar dhe jemi të privilegjuar që e kanë pranuar për të shkuar dhe për ti shërbyer komunitetit edhe dy deputetë që nesër do të jenë kryebashkiakët e rinj të Lezhës dhe të Lushnjes. Dy qytete të cilat u fituan nga koalicioni i vitit 2007, me dy kryetar bashkie që u mbështetën fuqimisht nga ne dhe që fatkeqësisht përfunduar të dy, bashkë me Ilirin, në koalicionin e turpit, duke në fakt mos e realizuar dot jo vetëm atë që qytetarët që i votuan prisnin prej tyre, por duke e braktisur qytetin e tyre. Këto dy qytete qytetarët do ti rimarrin në dorë përmes Gjok Jakut në Lezhë dhe Fatos Tushe në Lushnje.
E më tutje me radhë ne do të vazhdojmë në ditën e nesërme të përcaktojmë të gjithë hartën e bashkive dhe të komunave duke vendosur në secilën prej tyre kandidatët më të mirë. Dua të them edhe dy fjalë që të gjithë socialistët ta kuptojnë, që të gjithë progresistët ta kuptojnë, që të gjithë ata që deri dje kanë qenë në krah të ndryshëm me paritë e djathta në koalicionin tonë, se ky është një koalicion, kjo është një aleancë për të ardhmen. Kjo është një forcë bashkëpunuese, kjo është një forcë ku ne nuk duhet të shikojmë sesi kemi qëndruar në kampe të ndryshme në të shkuarën por ne duhet të shohim se si të bashkuar ti japim shembullin shqiptarëve sesi një politikë e re, ku mes të majtëve dhe të djathtëve të mos ketë urrejtje dhe hendeqe mllefi, por të ketë bashkëpunim është e mundshme. Sigurisht që ne do të krijojmë kushte për gare edhe për kandidatë që vijnë nga kjo e djathë liberale, nga kjo e djathtë që është tërësisht e vendosur kundër Saliut, nga kjo e djathtë që është tërësisht e bashkuar për ta çliruar Shqipërinë kthetrat e regjimit, për ti dhënë frymëmarrje demokracisë, për të rikthyer mundësitë që Shqipëria të qeveriset me drejtësi dhe të ketë drejtësi në dyert e gjykatave dhe për ti dhënë një hov të ri ekonomisë. Të gjithë do ta mirëkuptojnë se kjo nuk është një zgjedhje e dhimbshme por është një zgjedhje e domosdoshme dhe duhet tu japim mbështetje atyre kandidatëve të koalicionit, që do jenë përfaqësues të të gjithëve së bashku. Çdo kandidat që do të miratohet prej nesh është kandidati ynë dhe për secilin nga kandidatët është e përbashkët. Nuk i kemi të ndarë në sinore, siç e ndajnë në sinore Shqipërinë Saliu me Ilirin. Siç kanë ndarë në Sinore qeverinë dhe siç ndajnë në sinore edhe Shqipërinë, këto ministri i kam unë me familjen, oborrin, shërbëtorin dhe klientët. Ato ministri i ke ti me shërbëtorin familjen dhe klientët, pa punë e madhe se ç’ bëhet me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Punë e madhe se ç;bëhet me ata që shkojnë në spital e duhet të marrin me vete edhe çarçafët e ilaçet. Punë e madhe se c’ bëhet me ata që nuk u blejnë dot fëmijëve as abetaren. Pune e madhe se ç’ bëhet me ata 1 milionë që nuk kanë bukë për të ngrënë. Punë e madhe se ç’ bëhet me ata që janë të papunë. Punë e madhe se ç’ bëhet me ata të reja e të rinj që nuk gjejnë mundësinë të konkurrojnë asgjëkund sepse duhet të kesh teserin e PD ose LSI për tu futur në punë. Rëndësi ka blloku i pisllëkut, ku shkruhen përditë krimet ekonomike ndaj këtij vendi. E pra kjo nuk është filozofia jonë. Kjo nuk është rruga jonë. Kjo nuk është beteja jonë.
Filozofia jonë, rruga jonë, beteja jonë është krejt e kundërta e kësaj. Ne nuk jemi këtu për të ndarë në llokma Shqipërinë, por jemi këtu për ti bashkuar shqiptarët rreth një politike dhe vizioni tjetër për njerëzit dhe për vendin. Për këtë vend të cilit zoti i ka falur gjithçka i duhet për të qenë vendi ku çdo shqiptarë të ndjehet mirë. Për të qenë vendi ku asnjë shqiptarë të mos vuajë nga varfëria. Për të qenë vendi ku çdo shqiptarë të gjejë punë pa qenë nevoja të shkatërrohen resurset natyrore, pa qenë nevoja të ndodh ajo që ndodh me Krujën, pa qenë nevoja të ndodh kudo ku qeverisin këta zotërinj që sot i kërkojnë Shqipërisë një mandat për qytetarët. Për cilët qytetarë e kërkojnë mandatin këta? Le të na tregojnë një shembull, le të na tregojnë një qytet, le të na tregojnë një komunë ku kanë bërë gjë sendi tjetre përveçse kanë hedhur paratë e shqiptarëve për rrugë elektorale. Ku kanë bërë gjë sendi tjetër përveçse kanë shkaktuar e kanë prerë shirita kuturu. Ku kanë bërë gjë tjetër përveçse kanë rishpërndarë paranë e shqiptarëve në funksion të korrupsionit, në funksion të grabitjes, në funksion të vendosjes së shqiptarëve nën një regjim. Prandaj gjërat janë të lidhura bashkë, prandaj beteja për qytetarët sot është e lidhurit pazgjidhshmërisht me lirinë e qytetarit për të zgjedhur lirisht. Prandaj beteja për të vendosur kandidatit e aleancës për të ardhmen është e lidhur pazgjidhshmërisht me nevojën për të larguar koalicionin e turpit. Për tu ndarë nga këta të paudhë që dalin çdo ditë ekraneve dhe ju flasin Shqipërisë për qytetarin. I flasin Shqipërisë për mrekullitë që do vazhdojnë ti bëjnë, po ku janë mrekullitë që kanë bërë? Çfarë ka sot më evidentet sesa blloku i pisllëkut me të cilin Shqipëria e shqiptarët duhet të ndahen.
Unë dua të nënvizojë dhe një aspekt tjetër. Ne nuk e kemi në koalicion për të ardhmen një partner, një mikë të mirë, një qytetarë të kësaj republike, Vangjel Dulen. Por me të dhe me partinë e tij ne do të kemi një marrëveshje të posaçme, një marrëveshje jo thjesht politike por një marrëveshje për të çuar përpara punët dhe për të forcuar urën që lidh tërë Shqipërinë dhe tërë ta që jetojnë në Shqipëri sot, pavarësisht nga kombësia. Edhe aty Saliu ka vënë minat, edhe aty Saliu ka kërkuar ndasinë. Edhe aty Saliu ka mbështjellë mllefin edhe aty Saliu ka mbjellë urrejtjen. Ne duam diçka krejt tjetër, duam të krijojmë një hapësirë të plotë e njëkohësisht duam të bashkëpunojmë për Shqipërinë evropiane. Për Shqipërinë e të gjithë qytetarëve që jetojnë në të pavarësisht prejardhjes së tyre, pavarësisht krahinës së tyre, pavarësisht përkatësisë së tyre politike. Sepse kjo Shqipëri nuk është as e PS e as e PD. Kjo Shqipëri nuk është as blu e as rozë. Kjo është Shqipëria e të gjithë shqiptarëve, është Shqipëria e flamurit të Skënderbeut, e flamurit të Ismail Qemalit, e flamurit të heronjve të luftës së sytë botërore, e flamurit të atyre që u martirizuan në kohën e diktaturës komuniste thjesht dhe vetëm sepse ishin ndryshe dhe e flamujve të atyre që dolën komunizmit dhe kërkuan Shqipërinë si gjithë europa në vitin 1990. E flamurit të atyre që sot e jetojnë Shqipërinë me varfërinë e papunësinë, me hallet e tyre por edhe të atyre që sot nuk e jetojnë Shqipërinë sepse janë në emigracion, por me sytë nga Shqipëria. Me sytë nga Shqipëria ku vazhdojnë të çojnë para për të mbajtur frymën gjallë të familjeve të tyre, ndërkohë që paratë e tyre duhet të vijnë këtu për ti dhënë vendit një fuqi të re ekonomike, me investime, me punësim, me zhvillim. Po ku? Si? Me kë? Tek blloku? Kjo nuk mund të realizohet me bllokun. Ne do ta grisim atë bllok, e shqiptarët do ta grisin atë bllok në 8 maj.
*Fjala e Kryetarit të PS, Edi Rama, pas mbledhjes së Kryesisë mbrëmjen e djeshme.