Bruksel, 28 mars, NOA - Sot në Bruksel do të zhvillohet raundi i dytë i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Siç pritet tema të bisedimeve do të jenë energjia, posta dhe telekomi, si dhe lëvizja e lirë. Shefja e ekipit të Kosovës, Edita Tahiri, tha se të dyja palët mund t'i sqarojnë edhe pozicionet rreth temave të diskutuara në takimin e parë.
"Në raundin e parë ne kemi shtruar propozimet. Por, aq sa unë kam mundur t'i perceptoj, nuk kemi qenë shumë afër zgjidhjeve. Unë mendoj se takimi tjetër mund t'i sqarojë pozicionet e palëve", ka thënë Tahiri.
Ndërsa, shefi i delegacionit serb, Borko Stefanoviç, citohet të ketë thënë se është optimist rreth arritjes së marrëveshjeve. Bisedimet Kosovë-Serbi po lehtësohen nga Robert Kuper, përfaqësues i shefes së diplomacisë evropiane, Kethrin Eshton. Procesi po asistohet edhe nga përfaqësuesi i SHBA së, Tomas Kantrimen.
NOA