Tiranë, 28 mars 2011, NOA – Nënkryetari i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Saimir Tahiri akuzoi kryeministrin Berisha se po tenton të hedhë në tregun mediatik paratë e pista. Deputeti Tahiri akuzoi se regjimi me paratë e korrupsionit po tenton të blejë një televizion opozitar në vend. “Regjimi i Sali Berishës ka filluar të përdorë fitimet nga korrupsioni dhe kontrabanda e armëve me Gedafin e tufën e diktatorëve të tjerë anembanë botës, për të kërcënuar e nënshtruar median shqiptare me qëllimin e vetëm për t’i bërë makijazhin mediatik për fushatën e Tiranës kandidatit më komik të mundshëm”, deklaroi Tahiri duke denoncuar gjatë një konference për shtyp faktet mbi këto akuza.
Deputeti socialist nënvizoi se ai që vrau me armë popullin e tij në 21 Janar, nuk e ka vështirë të furnizojë me armë e fishekë diktatorët e botës që vrasin njëlloj si ai, popuj që duan demokraci.
“Kjo arsyeja pse është faji i Saliut për këtë turp që u bëhet sot shqiptarëve të zakonshëm. Dhe duket se Makineria e parave të pista të korrupsionit e kontrabandës së Saliut dhe Lulit, është ndezur si kurrë më parë për të vënë diktatin duke i blerë me para të pista ato media që po rezistojnë të lira, e për të nënshtruar duke shkatërruar e asgjësuar nga godinat e deri në themel, ato media që me para nuk i blen dot kurrë”, tha Tahiri.
Duke iu referuar fakteve, Tahiri tha se “Prej disa kohësh njerëz të lidhur drejtpërdrejtë me pushtetin po përpiqen të blejnë këtë televizion me çdo çmim, duke përdorur paratë e pista të korrupsionit për të cilin Saliu vrau qytetarë të pafajshëm në bulevard, si dhe paratë e pista të kontrabandës së armëve me të cilat diktatorë anembanë botës vrasin qytetarë që protestojnë për liri e demokraci”.
Por, sipas deputeti socialist “Në 8 maj shqiptarët do t’u japin me votë një mesazh të qartë mu në lule: kurrë më me Saliun dhe me regjimin e tij që vjedh e vret për të vazhduar të vjedhë”.
mit/NOA