Romë, 28 Mars 2011, NOA- Një ngjarje e trishtë ka turbulluar mbrëmjen e sotme banorët e Romës. Një grua 46 vjeçe me vajzën e saj tetë vjeçe është hedhur nga kati i katërt i një ndërtese në Via Lombardo Radice në Tor Pagnota (Romë).
Nga të dhënat paraprake mësohet se vajza e vogël ka vdekur menjëherë, ndërsa gruaja është transportuar në spitalin Sant'Eugenio në Romë.
Sipas autoriteteve policore gruaja në fillim ka goditur me thikë dy herë të bijën e më pas është hedhur me të nga apartamenti. Sipas asaj që është mësuar Paola Albani , një mësuese e edukimit fizik dhe vajza e saj në momentin e ngjarjes duket se kanë qenë vetëm në shtëpi, në një apartament pranë Tor Pagnotta. Burri i saj dhe djali kishin dalë.
“Jam i shokuar - ka thënë i shoqi i gruas- Ime shoqe vuante nga depresioni e ishte duke u kuruar, por kurrë nuk e prisja një gjë të tillë. Ishte si një rrufe në qiell të pastër”.
Në shtëpi policia ka gjetur një thikë të gjakosur.
Gruaja ndodhet në gjendje kome.