Dy shqiptarët demonstruan në burgun e Koridhalosit shenja çekuilibri mendor dhe i dërguan në psikiatrik. Që andej u arratisën me çarçafë duke prerë hekurat dhe çarë rrethimin me pasojë zhdukjen
Athinë, 29 mars 2011 NOA – Çarçafët ishin të mjaftueshëm për dy shqiptarë të burgosur që të arratiseshin pa shumë stërmundime nga burgu i sigurisë së lartë të Koridhalosit në Greqi.
Korrespondenti i agjencisë NOA raporton se dy shqiptarët kanë arritur të arratisen nga ambientet e spitalit psikiatrik të burgut Koridhalo dhe tani janë shpallur në kërkim policor.
Ngjarja ndodhi sot herët në mëngjes në orën 02.30, kur dy shqiptarët, njëri 28 dhe tjetri 34 vjeçar, lidhën çarçafët me të cilët flinin dhe i varën në një nga hekurat e dritares, pasi kishin prerë disa të tjera që u mundësuan daljen pa shumë vështirësi prej saj.
Policia greke tha se dy të arratisurit janë përkatësisht 28 vjeç dhe 34 vjeç, në burg për trafik lëndësh narkotike, por i pari kishte dhe një dënim me tetë muaj heqje lirie për veprën penale të përvetësimit.
Nga hetimi doli se disa ditë më parë, dy shqiptarët kishin demonstruar simptoma të çekuilibrit mendor dhe kjo situatë e konstatuar nga mjekët, çoi në dërgimin e tyre për kurim në spitalin psikiatrik.
Menjëherë sapo është mësuar arratisja kanë nisur kërkimet por deri tani pa asnjë rezultat.
Me urdhër të Ministrit të Drejtësisë, Hari Kastanidi, u pezulluan dhe janë në dispozicion të hetimit, Andonis Aravantinos (në foto), komandant i burgut të sektorit të spitalit psikiatrik në Koridhalo. E njëjta masë u vendos edhe për dy gardianë.
Hetuesit thanë se është e mistershme ende për ta, fakti që dy shqiptarët jo vetëm prenë hekurat duke dalë nga qelia pa u shqetësuar nga askush, por edhe dolën nga rrethimi i burgut të sigurisë së lartë, sërish pa u shqetësuar nga asnjë gardian apo roje rrethimi.
n.s/e.t/NOA