Tiranë, 29 mars 2011, NOA - Fuqizimi Ekonomik i gruas-Fuqizim ekonomik i Shqipërisë, ishte lajtmotiv i Panairit dyditor të çelur sot në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. “Qëllimi i një Panairi të tillë, është nxitja dhe mbështetja e nismave sipërmarrëse të grave dhe promovimi i modelit të grave të suksesshme biznesmene”, theksoi Ministri i Punës, Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta Spiro Ksera gjatë ceremonisë së hapjes së panairit.
Ministri Ksera u ndal gjatë fjalës së tij edhe në politikat në tregun e punës.
Ksera bëri me dije se nëpërmjet programeve të nxitjes së punësimit dhe formimit profesional, gjatë vitit 2010 janë punësuar me ndërmjetësim nëpërmjet zyrave të punësimit rreth 51,5 % gra nga totali i punëkërkuesve të papunë, që kanë përfituar nga këto shërbime.
“Aktualisht në Shqipëri, mbi rreth 30 mijë biznese të vogla drejtohen nga gratë”, tha Ksera.
Ai nënvizoi se ndonëse numri i bizneseve të mesme dhe të mëdha të drejtuara nga gratë është ende i vogël, ato që po zhvillohen, po tentojnë suksesin e sigurtë.
Ministri i Punës, Spiro Ksera vizitoi të gjitha stendat e Panairit dhe bisedoi me sipërmarrëset gra rreth sfidave, me të cilat ato përballen në aktivitetin e tyre.
Ai premtoi se dikasteri që drejton do të vendosë ura bashkëpunimi të përhershme për të mbështetur dhe promovuar bizneset e grave në të gjithë vendin.
Andreë Majbrook në emër të USAID-it, vuri në dukje se tashmë gratë biznesmene duhet të fillojnë një bashkëpunim mes tyre për të evidentuar pengesat, me të cilat mund të haset biznesi i tyre gjatë viteve të ardhshme dhe të përcaktojnë rrugët dhe mjetet për kalimin e tyre.
Aktivitetin e përshëndeti edhe përfaqësuesja e Dhomës Amerikane të Tregtisë, përfaqësuesja e Shoqatës së Grave Biznesmene, etj.
Në Panairin dy ditor janë paraqitur produktet dhe shërbimet e më shumë se 45 bizneseve që drejtohen nga gratë shqiptare.
Gjatë këtij aktiviteti do të mbahen dy sesione diskutimi.
Panairi u mundësua falë bashkëpunimit të Ministrisë së Punës me Dhomën Amerikane të Tregtisë, Dhomën Shqiptare të Tregtisë, Qendrën e Aleancës Gjinore për Zhvillim dhe Shoqatën e Grave Profesioniste, Afariste dhe Zejtare si dhe mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar USAID.
mit/NOA