Tiranë, 29 mars 2011, NOA- Një axhendë e ngjeshur gjatë ditës së nesërme parashikohet për krerët e politikës shqiptare, pas zyrtarizimit të lajmit për vizitën në Tiranë të komisionerit të Bashkimit Europian Stefan Fyle.
Ky lajm u konfirmua ditën e sotme nga zëdhënësja e tij Natasha Butler, e cila bëri të ditur se vizita e tij do të konsistojë për planin e reagimit të qeverisë shqiptare, mbi zbatimin e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian.
“Shqipëria ndodhet në prag të zgjedhjeve lokale të 8 majit dhe plotësimi i të gjitha standardeve demokratike në këtë proces bëhet edhe më i rëndësishëm në lidhje me integrimin e vendit. Ne jemi gati t’ju ndihmojmë, por zgjidhja i mbetet liderëve politike shqiptarë”, deklaroi Butler gjatë një konference për shtyp në Bruksel.
Sipas të dhënave paraprake flitet që ai do ti nis takimet së pari me kreun e qeverisë Sali Berisha, për të vazhduar më pas me Presidentin e vendit Bamir Topi dhe më pas me kreun e Partisë Socialiste Edi Rama.
Gjatë vizitës së tij në Tiranë pritet që Fyle t’iu transmetojë përfaqësuesve të politikës shqiptare mesazhe të qarta për të dialoguar në mënyrë që vendi të ecë përpara.
a.y/NOA