Londër, 29 mars 2011, NOA - Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto ndodhet në Londër ku do të marrë pjesë në Konferencën e Londrës mbi Libinë, ku do të diskutohet për arritjen e një zgjidhjeje politike për këtë vend.
Konferenca, e cila organizohet nga Qeveria britanike do të ketë prani të gjerë ndërkombëtare, përfshirë vendet anëtare të NATO-s, OKB-së, dhe shtete nga rajoni rreth Libisë.
Në këtë konferencë do të diskutohet angazhimi aktual i Bashkësisë Ndërkombëtare për Libinë dhe popullin e saj, përmes zbatimit të Rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ‘1970’ dhe ‘1973’.
Konferenca, gjithashtu, ka si objektiv edhe krijimin e një ‘Grupi të Kontaktit’ mbi Libinë, i cili do të shërbejë si bazë dhe fokus për angazhimin e Bashkësisë Ndërkombëtare me qëllim arritjen e një zgjidhjeje politike për të ardhmen e Libisë, koordinimin e ndihmës humanitare për këtë vend dhe mbështetjen për tranzicionin drejt së ardhmes.
mit/NOA