Londër, 29 mars 2011, NOA- Shqipëria i bashkohet komunitetit ndërkombëtar në vendosmërinë për të zbatuar Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi Libinë.
Ky ka qenë thelbi i fjalës së mbajtur ditën e sotme në Konferencën për Libinë nga ana e Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto.
Numri një i diplomacisë shqiptare gjatë fjalës së tij theksoi se marrja e komandës së operacioneve ushtarake nga ana e NATO-s është një akt për tu vlerësuar.
Ndër të tjera Haxhinasto tha se Shqipëria mbështet krijimin e Grupit të Kontaktit mbi Libinë dhe garantoi për angazhimin e plotë të vendit në këtë kuadër.
Më tej, ai u shpreh se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, është e gatshme që të ofrojë portet dhe aeroportet si dhe hapësirën ajrore dhe ato detare për nevojat e veprimeve ushtarake të Aleancës, apo për qëllime humanitare që kanë të bëjnë me situatën dhe zhvillimet në Libi.
Në këtë konferencë ndërkombëtare të organizuar nga qeveria britanike, morën pjesë: Kryeministri britanik Dejvid Kamerun, Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, si dhe Ministrat e Jashtëm të vendeve të rajonit afër Libisë, përfaqësues të lartë të OKI-t, Ligës Arabe etj.
Gjatë konferencës, Haxhinasto pati mjaft takime me homologë të tij, si Sekretarin e Jashtëm Britanik Hague, Sekretaren e Shtetit Klinton, ministrin e Jashtëm francez Alain Juppe, ministrin Italian të Punëve të Jashtme Franko Fratini, ministrin e Jashtëm Grek Droutsas, Baroneshën Kathrin Ashton etj.
Në këtë konferencë u konfirmua angazhimi i plotë i vendeve pjesëmarrëse për sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe unitetin kombëtar të Libisë, si dhe u miratua krijimi i Grupit të Kontaktit, si struktura ndërkombëtare që do merret me koordinimin e politikave mbi Libinë.
a.y/NOA