English

Kapen 5 kg marijuanë, në një çantë në autobus

Gjirokastër, 29 mars, NOA – Një person është arrestuar në flagrancë nga forcat e policisë së Gjirokastrës, pasi u kap me 5 kilogramë lëndë narkotike të llojit marijuanë.

Ngjarja konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se ato kishin marrë informacion paraprak se në një autobus të linjës Tiranë-Kakavijë, në vendin e quajtur Kordhocë-Gjirokastër, kishte hipur një person i cili kishte një çantë shpine dhe brenda saj mund të kishte lëndë narkotike.

Menjëherë ata kanë bashkëpunuar me postbllokun e policisë i cili është i ngritur në dalje të qytetit Gjirokastër në afërsi të Viroit dhe rreth orës 18.00, kanë bërë ndalimin e autobusit.

Nga kontrolli i ushtruar rezultoi se në fund të tij, ishin disa çanta ku në njërën prej tyre konkretisht në një çantë shpine u konstatuan disa pako të mbështjella me letër natriban me lëndë narkotike.

Po në këtë çantë, u konstatua edhe një qese plasmasi ku në brendësi të saj kishte lëndë narkotike e llojit marijuanë, në formë boçeje.

Menjëherë autobusi, së bashku me dhjetë pasagjerë është shoqëruar në ambjentet e Policisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.

Nga hetimet rezultoi se Ermal Çela, 27-vjeç, i lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, e kishte blerë lëndën narkotike në Lazarat për ta shitur në sasi të vogla më pas në kryeqytet në ambientet universitare dhe pub-e nate.

Ndërsa drejtuesi i autobusit, së bashku me pasagjerët e tjerë u lanë të lirë.

Materialet i kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme, për veprën penale të “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, vepër kjo e parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE